PD me 12 burra e asnjë grua për zgjedhjet në 2025

Kanë 11 vite në opozitë, dhe kurrë nuk janë tërhequr nga motoja që zgjedhjet Rama i vjedh dhe se PD do të fitojë. Tashmë 8 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025, kryesia e Partisë Demokratike ka caktuar drejtuesit politik të saj në 12 qarqet e vendit. Fushata elektorale do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka dhe kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Qarku më i madh në vend, ai i Tiranës i është besuar Belind Këlliçit, i cili ishte edhe kandidati përballë Erion Veliajt në garën për bashkinë e Tiranës. Gazment Bardhi, i cili mban edhe detyrën e kreut të grupit parlamentar të demokratëve, do të drejtojë qarkun e Fierit. Oerd Bylykbashi do jetë në krye të Qarkut të Durrësit. Luçiano Boçi do jetë drejtues politik në Shkodër. Agron Gjekmarkaj në qarkun e Lezhës. Elbasani do të kryesohet nga Ervin Salianji, Korça nga Ivi Kaso, Kukësi nga Flamur Hoxha, Dibra nga Xhelal Mziu, Berati nga Eno Bozdo, Vlora nga Bujar Leskaj dhe Gjirokastra nga Tritan Shehu.

Krahas përgatitjeve për betejën elektorale të 2025, Berisha paralajmëroi gjithashtu një valë protestash, vendimin për të cilat pritet ta marrin organet drejtuese të kësaj force politike. PD me aspak besim tek gratë e partisë, hartoi një listë me 12 drejtues politik burra. Edit’h Harxhi duke iu drejtuar Flamur Nokës që kryesonte mbledhjen, tha se është e paprecedentë që nuk ka të paktën një qark me një drejtuese grua, duke u shprehur e turpëruar që PD, që dikur i ka dhënë besimin grave edhe në kohë më të vështira sic kanë qënë zgjedhjet e 1996-ës, tashmë është kthyer në parti burrash.

Albana Vokshi drejtuese e Forumit të Gruas do të ketë përgjegjësi në shkallë vendi për organizimin e forumit dhe mobilizimit të grave. Ndërsa kreu i FRPD, Besard Xhaferri, do të merret me organizmin e të rinjve në të gjithë vendin.

SHKARKO APP