PD: Ministria e Financave nuk publikon pagesat e thesarit prej 19 mars! S’ka më para në buxhet apo…?
Anëtarja e Kryesisë së PD, Marinela Ziu gjatë një konference për shtyp nga selia blu, tha se Ministria e Financave nuk publikon transaksionet e thesarit. Sipas saj, qytetarët e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë. Ziu shtoi se prej datës 19 mars qeveria nuk bën transparente shpenzimet e saj, ndërsa ngriti dyshime se kemi të bëjmë me fshehje të pagesave ose me mungesën e parave në buxhetin e shtetit.
Deklarata e plotë
Prej datës 19 mars, qytetarët më të varfër dhe më të vjedhur të Europës, faktuar kjo nga çdo raport nderkombetar, e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë, pasi Ministria e Financave për të disatën herë dhe pa asnjë lajmërim, nuk publikon transaksionet e thesarit.
Listës së kontratave koncesionare e prokurimeve publike që nuk publikohen e Ligjeve e Vendime të Këshillit të Ministrave që publikohen me vonesë në Fletore Zyrtare, mjegullnajës e territ të informacionit me lejet e ndërtimit, investimet strategjike, ankandet, subvencionet, qiratë e pronave shtetërore e çdo kontrate tjetër publike, tashmë prej javësh i shtohen edhe transaksionet e thesarit.
Fatkeqësisht, transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si dritare informacioni e aksesueshme lehtësisht, duke kontribuar në monitorimin e shpenzimeve të qeverisë jo vetëm nga media e gazetarë por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë.
Ҫfarë po kërkon të fshehë qeveria nëpërmjet mungesës së transparencës me transaksionet e thesarit.
Transaksione dhe rimbursime që duhet të mbahen jashtë vëmendjes së publikut apo mungesë parash në buxhetin e shtetit?!
Nga dita e saj e parë, ko qeveri ka thyer çdo rekord të mungesës së transparencës, e cila në çdo rast është shoqëruar me një megaaferë korruptive që do t’i kushtojë miliardat e radhës xhepave të qytetarëve shqiptarë.