PD nxjerr videon: Rama është kreu i “KÇK”, i jep krimit pasuri

Partia Demokratike e sheh paketën “Anti-KÇK” të qeverisë “Rama”, si një dublim të SPAK-ut. Për demokratët, ajo bëhet për të shpëtuar Edi Ramën dhe qeveritarët e tjerë nga drejtësia e re.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi publikoi një video dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se ai është përgjegjësi kryesor për krimin e korrupsionin në vend.

Bardhi u shpreh nëpërmjet faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” se Rama nuk e lufton dot krimin përmes paketës “Anti-KÇK”, por po e favorizon atë.

“Krimin nuk e lufton dot ai që e përfshiu në çdo segment të qeverisjes së tij, si dhe e mbështeti edhe duke mohuar aktivitetin në rritje dhe forcimin e krimit të organizuar. Edi Rama është përgjegjësi kryesor për kriminalizimin e politikës dhe korrupsionin. Të pandëshkuarit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri janë qeveritarët dhe bashkiakët e Rilindjes. Propaganda dhe mashtrime publike nuk e ndryshojnë dot të vërtetën: Edi Rama është kreu i KÇK-së, bashkëqeveris me krimin e organizuar, i jep krimit pushtet politik tendera, koncesione dhe pasuri publike”, u shpreh në reagimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

SHKARKO APP