PD pa para publike, fondet vjetore i kalojnë Bashës
Jo të dyja grupet në PD, do të marrin para. Kodi Zgjedhor parashikon se partitë marrin mbështetje financiare për fushatën elektorale, por në rastin e PD-së, kjo mbështetje nuk do të ekzistojë për zgjedhjet e 14 majit, për shkak të bojkotit të demokratëve në procesin e vitit 2019.
Fondet përllogariten në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të fundit vendore, në të cilat PD-ja bojkotoi dhe tanimë vuan pasojën e radhës, atë të mosmbështetjes buxhetore. Paratë do të shkojnë në arkën e PS-së si forca politike e cila i fitoi të gjithë pushtetin vendor.
Fondet për vitin 2023 pritet të përkthehet në një krizë të dyfishtë brenda PD-së, të ndarë në dy grupime që pretendojnë se kanë drejtimin e partisë. Lulzim Basha është larguar nga drejtimi i PD-së, por vijon që të njihet nga gjykata dhe institucionet si drejtues i saj.
Basha ose trashëgimtari i tij në parti, Enkelejd Alibeaj do të marrë mbështetjen financiare prej rreth 105 milionë lekësh, pavarësisht se prej më shumë se 7 muajsh tashmë drejtimi i selisë është në duart e Sali Berishës.