PD: Qeveria ka dështuar të zbatojë protokollet për parandalimin e infeksionit Covid-19
Anëtari i Grupit të Ekspertëve për Koronavirusin, Gazment Koduzi, në një reagim në emër të PD-së flet për tre hapat e dështimit të qeverisë me COVID-19.
“Nuk janë qytetarët problemi. Problemi janë spitalet e pambrojtura të Edi Ramës dhe të Ogerta Manastirliut. Janë spitalet vatrat e infeksionit, prandaj kërcënimi i qytetarëve me karantinë është një mjet represioni për të mbuluar dështimin spektakolar të Edi Ramës. Rastet e reja të të prekurve nga COVID 19 nuk vijnë se qytetarët apo bizneset nuk respektojnë rregullat, siç pretendon Edi Rama. Ato janë pasojë e vatrave të ndryshme në institucionet shëndetësore. Është e pafalshme dhe kriminale që në muajin e 4 të përballjes më coronavirusin, të infektohen 27 personel shëndetësor vetëm gjatë muajit Qershor. Ky është një dështim i masave parandaluese dhe monitorimit të zbatimit të tyre nga ana e autoriteteve shëndetësore.
Qeveria ka dështuar të zbatojë protokollet për parandalimin e infeksionit përmes tre hapave konkretë:
1. Testimi I pacientëve për covid-19 kur shtrohen në spital.
2. Kryerja e tamponit të gjithë personelit shëndetësor dhe ritestimi me përzgjedhje pas një intervali 7-10 ditëve;
3. Pajisja me masat mbrojtëse personale i gjithë personelit shëndetësor, trajnim me protokollet e përdorimit, si dhe monitorimi i mbajtjes së tyre.
Mos zbatimi i këtyre protokolleve është përgjegjësi direkte e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk ka prokuruar kitet për testime masive, masat mbrojtëse personale, si dhe e drejtuesve të QSUT dhe shërbimeve që nuk pajisin, trainojnë dhe monitorojnë zbatimin e masave mbrojtëse, që sjellin parandalimin e infektimin të tyre dhe me pas të pacientëve dhe të afërmve të tyre.
Kërcënimet e Edi Ramës me kthimin e karantinës shkojnë kundër interesit publik. Në interesin e qytetarëve nuk është karantina, por një qeveri e përgjegjshme që zbaton vetë masat e parandalimit të infeksionit dhe nuk shndërron spitalet në rrezikun numër 1 për shëndetin e personelit mjekësor dhe për qytetarët”, tha Koduzi.