PD: Rritja e çmimit të energjisë për biznesin e madh bie në kurriz të qytetarëve
Partia Demokratike vazhdon ta konsiderojë krizën energjetike në vend si një krizë korrupsioni, e cila i ka themelet e saj në abuzimin e tenderave me miliona euro që zhvillon OSHEE.
Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu në një deklaratë për mediat, tha se do të jetë e pashmangshme nëse qeveria do të vendosë për një rritje çmimi të energjisë elektrike për biznesin e madh dhe t’mos preket qytetari shqiptar.
”Dëgjuam qeverinë sot se si tha që nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin dhe për biznesin e vogël, por në asnjë moment nuk dëgjuam se çfarë do të ndodhë me çmimin e energjisë elektrike për biznesin e madh”.
Po ashtu ai theksoi se kriza energjetike buron nga punësimi në administratën publike dhe në OSHEE të qindra patronazhistëve që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Për më tepër, Agalliu thotë se vendi ynë nuk ka një investim real në sektorin e energjisë. ”Kriza nuk vjen nga rritja e çmimit të tregjeve ndërkombëtare. Kriza i ka themelet pikërisht në abuzimet dhe në korrupsionin që kjo qeveri bën”.