PD: SPAK të hetojë si u shpallën investitorë strategjikë dy eksponentë të PS-së
Partia Demokratike ka kërkuar nga Prokuroria Speciale Anti-korrupsion (SPAK) që të hetojë procedurën e shpalljes si investitor strategjik të vëllait të kryetarit të FRESSH, Turjan Hysko, dhe ish kreut të bashkisë Vorë Hekuran Brahimaj.
Genta Vangjeli zëdhënëse e antikorrupsionit në PD, nëpërmjet një deklarate për mediat kërkoi nga SPAK të hetojë procedurën e ndjekur për këtë investim strategjik i cili do të përfshijë tokë shtetërorë dhe private duke zbardhur dhe burimin e të ardhura të ligjshme për implementimin e këtij projekti.
“Listës së investitorëve strategjikë të Kryeministrit strategjik Edi Rama i është bashkuar edhe ish nënkryetari socialist i bashkisë Vorë Hekuran Brahimaj.
Në këtë investim strategjik ish-nënkryetarit socialist të bashkisë Vorë, do ti bashkohet edhe një tjetër personazh i radhëve të rilindjes. Ai është Turjan Hysko, vëllai i ish-deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH, Elio Hyskos”- u shpreh Vangjeli.
Sipas Vangjelit vendimi është marrë më datë 23 korrik 2024 dhe investimi parashikohet me vlerë 50 milion euro.
“Edi Rama miratoi në parim masa mbështetëse për vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 76,950 m2, në ZK.2518, e zërit kadastral ‘ullishte’ dhe ‘pemtore’.
Projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi ‘private’ të subjekteve aplikuese, gjithashtu një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi ‘shtet’. Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2 janë ende në fazë negociatash me subjekte private.
Theksojmë se veprimet procedurale të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bashkisë Himarë që i duhej me patjetër Edi Ramës pikërisht për këto arsye, si dhe Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) do të jenë në vëmendjen tonë”- tha Vangjeli.
/a.f/ ATSH