”PD të dalë në fushë-betejë”, Berisha: Kryetarët e degëve të mbledhin me urgjencë kryesitë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dhënë porositë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD, duke i thënë se duhet të fillojnë një debat për interesin e qytetarëve shqiptarë. Po ashtu u bëri thirrje kryetarëve të degëve, që të mbledhin me urgjencë kryesitë.
“T’i dalim zot interesit tonë kombëtar sepse pikërisht se nuk është mbrojtur ky interes, Shqipëria është rrokullisur. Asnjë interes tjetër i qytetarëve shqiptar nuk mund të mbrohet para interesit kombëtar.
Është e domosdoshme që në parti të fillojë menjëherë, që nesër, një debat për të gjitha këto zhvillime. Partia duhet të dalë në fushë-betejë.
Nuk mundet kurrë kush të luajë me fatet e shqiptarëve, nuk mundet kush të mbajë në këmbë një parlament që mohon gjakun e derdhur të shqiptarëve në Kosovë. Situata është më alarmante se kurrë. I kërkoj drejtuesit e degëve të mbledhin me urgjencë kryesitë, të zhvillojnë debat të hapur politik”.