PD, Teliti: Çmimi i referencës së pronës është rritur me 50-75 për qind
Nënkryetari i këshillit bashkiak Tiranë, Dorian Teliti reagoi sot për rritjen e çmimit të referencës së pronës. Për të ky vendim i qeverisë do t’u kushtojë familjeve shqiptare pa dallim partie, krahine apo të ardhurash, 50 milionë euro në vit.
”Çmimi i referencës së pronës është rritur me 50-75 për qind. Partia Demokratike e dënon këtë akt që takson pa benefite dhe merr pa dhënë, duke e kthyer qeverinë, nga mbrojtëse e interesave të qytetarit, në taksidar pushtuesi të brendshëm”, tha ai. Nga ana tjetër, Teliti thekson edhe se me VKM Rama ka rritur çmimin e referencës së pronës.
“Për vitin 2026 Edi Rama ka gati një ligj të ri, një shpatë të re Damokleu, që do ta lëshojë mbi kokat e shqiptarëve. Ai planifikon që të fuqizojë një ligj të ri për taksën e pronës, që do ketë dy pasoja të tjera. Së pari, do të dyfishojë taksën e banesës nga 0.05 për qind në 0.1 për qind. Së dyti, do të rrisë llojet e pronave që taksohen, duke përfshirë ndërtesat për qëllime bujqësore dhe blegtorale. Fshatarit, fermerit dhe blegtorit shqiptar do t’i duhet të paguajë taksë edhe për stallat dhe kasollet e lopëve”, shtoi ai.