PD, Teliti: Rama tjetër çek të ri prej 5.5 mln eurosh për incineratorët

Dorian Teliti, shefi i kabinetit të kreut të PD-së, Lulzim Basha ka denoncuar një tjetër aferë të qeverisë Rama.

‘Çek i ri 5.5 milionë euro për incineratorët’, tha Teliti sot.

Sipas tij, ‘Edi Rama braktis qytetarët për pasurimin e klientëve. Vendit i duhet ndryshim’.

Deklaratë e Partisë Demokratike, Dorian Teliti:

Të dashur qytetarë!

Sot përmbyllet një vit i vështirë, që nxorrri në pah dështimin e plotë të qeverisë së Edi Ramës, që nga rindërtimi e deri tek pandemia dhe pasojat e saj për shëndetin dhe ekonominë.

Të gjithë ne përjetuam ditë, javë e muaj sfidues.

Me dhjetëra mijëra humbën vendin e punës, të shumta bizneset që falimentuan dhe vazhdojnë të mbahen me sakrificë të jashtëzakonshme.

Shumë prej nesh humbën papritur, edhe të afërmit e tyre.

Për fat të keq, në këtë periudhë të vështirë qytetarët u braktisën nga qeveria. Prioriteti i Kryeministrit në ikje Edi Rama nuk ishin qytetarët, por klientët e pushtetit.

Në asnjë moment, Kryeministri nuk u ngrit në lartësinë e detyrës, por i la shqiptarët në baltë, ashtu siç ka bërë gjithmonë në këto 7 vite të qeverisjes së tij.

Edi Rama nuk zgjodhi të ndihmojë njerëzit në nevojë dhe ekonominë e vendit tonë, por i la në mëshirë të fatit duke ofruar paketën ndihmëse direkte më të ulët në rajon.

Zgjedhja e tij ishte e qartë, braktisi shqiptarët dhe vendosi të ndihmojë thjesht dhe vetëm miqtë e oborrit qeveritar.

Kjo duket qartë edhe në vendimin e tij të fundit për këtë vit.

Nga një anë, braktisi plotësisht qytetarët, nga ana tjetër dha miliona euro për incineratorët.

48 oret e fundit të vitit Qeveria i përdori për të kryer 11 transaksione financiare për llogari të tre inceneratorëve, që zhdukin taksat e qytetarëve të ndershëm të vendit tonë.

Plot 5.5 milionë euro shkuan për llogari të vetes, të ministrave të tij dhe të mercenarëve në media që përpijnë paratë publike.

5.5 milionë euro me një dorë, ndërkohë që familjet shqiptare nuk kanë para mjaftueshëm për të blerë shportën bazë të ushqimeve e jo më gjelin e vitit të ri.

Janë 5.5 milionë euro që nuk shkuan për 65 mijë familjet në ndihmë ekonomike, të cilat mund të merrnin lehtësisht 100 mije lekë të vjetra ndihmë financiare këtë fundvit, nëse Edi Rama nuk do të kishte zgjedhur përfitimin personal.

Sot çdokush e ka të qarte se Edi Rama është një dështim.

Është mbushur kupa e florinjtë e qeveritarëve dhe oligarkëve të tyre me paratë tona, por akoma më plot është mbushur kupa e mjerimit të shqiptarëve të braktisur, të cilët shohin një të ardhme të zezë, nëse Edi Rama nuk largohet nga posti që mban.

Edi Rama eshtë një dështim, pasi ai nuk ka asnjë shanc për të korrigjuar të këqijat që ka bërë në këto 7 vite.

Të dashur miq.

115 dite na ndajnë nga rrugëtimi i ri që të gjithëve na pret, një rrugëtim që bashkarisht do ta nisim me ndryshimin e madh të 25 prillit, ku me votën tuaj, votën e shqiptarëve të ndershëm do t’i japim Edi Ramës faturën politike që nga njëra anë braktisi qëllimisht qytetarët, bizneset dhe ekonominë dhe nga ana tjetër pasuroi dhe vazhdon ende të pasurojë oborrtarët që e rrethojnë.

Viti i ardhshëm do të jetë viti i ndryshimit!

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike do të kthejnë shpresën për Shqipërinë!

SHKARKO APP