Pedagogët nesër në Grevë: Të na bashkohen dhe studentët!
Pas dështimit të uljes në një tavolinë me Qeverinë për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj kërkesave të parashtruara për shqyrtim një javë më parë Asambleja e Pedagogëve FSHS njofton nesër mbajtjen e një greve, duke i bërë thirrje gjithashtu, edhe studentëve t’i bashkohen atyre.
Njoftimi i Asamblesë
TË HËNËN GREVË
Faqja e Fakultetit të Shkencave Sociale ka postuar dy dokumente në kundërshti me njëra-tjetrën. Në fillim shpallet vendimi për grevë i asamblesë së personelit akademik, pastaj një skemë e rifillimit të mësimit, a thua se nuk ka grevë.
Na del detyra të sqarojmë se, sipas logjikës së shëndoshë dhe statutit të Universitetit të Tiranës, asambleja e personelit akademik është organi më i lartë vendimmarrës i një fakulteti. Kjo asamble zgjedh rektorin, dekanin dhe anëtarët e senatit akademik, si dhe u kërkon llogari të zgjedhurve për mënyrën se si ushtrojnë detyrën.
Asambleja e personelit akademik të FSHS është mbledhur në respektim të nenit 45, pika 3 të statutit të UT. Pro grevës kanë votuar jo vetëm thuajse të gjithë pjesëmarrësit në asamble, 36 nga 38 vetë, por edhe shumica absolute e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale (gjithsej 71 vetë, duke përfshirë këtu pedagogët që nuk morën pjesë në asamble). Çka do të thotë se vendimi i saj për grevë është i detyrueshëm ligjërisht edhe për ata që kanë votuar kundër, edhe për ata që nuk janë paraqitur në asamble, edhe për pedagogët e jashtëm. Kush shkel grevën, shkel ligjin, statutin e UT dhe etikën pedagogjike.
U bëjmë thirrje studentëve të solidarizohen me pedagogët, të cilët do të mblidhen të hënën në orën 8 në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale!
KOHA JONË SONDAZH

