Pedagogët pa rroga, Nikolla kërkon ndjesë dhe fajëson ligjin e saj
Në një kohë kur në media dhe në rrjete sociale u ngrit me të madhe, që prej disa javësh pedagogët nuk kanë marrë rrogat e muajt janar, vetëm sot Ministrja e Arsimit ka reaguar për kolapsin financiar të krijuar në universitete. Lindita Nikolla, gjatë një takimi zhvilluar në Tiranë ka kërkuar ndjesë pedagogëve dhe administratës, ku ka thënë edhe se rrogat do të merren.
Këtë vonesë Nikolla e justifikon me ligjin e ri të arsimit të lartë, që sipas saj ofron më shumë autonomi financiare për universitetet duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor.
Paçka se ky ligj është mbrojtur fuqishëm nga vetë ministrja dhe qeveria Rama, po del të jetë me probleme jetike, ku efektet e para negative po jepen.
”Unë do të përfitoj nga rasti të kërkoj një ndjesë të madhe publike të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve, por dhe administratës së universiteteve publike për vonesën e pagës së tyre, për t’iu thënë që nuk është as më shumë e as më pak, por pikërisht edhe nevoja që qeveria dhe institucionet qeverisëse të bëjnë maksimalisht detyrat e tyre të shtëpisë, sepse është një axhustim i nevojshëm që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor”, tha ministrja Nikolla.
Pedagogët e të gjitha universiteteve publike, nuk kanë marrë ende pagën e janarit, edhe pse sot data shënon 10 Shkurt.
KOHA JONË SONDAZH

