Pedagogu i njohur: Në Durrës po mbulohet e vërteta
I ftuar në News 24, profesori dhe analisti Mark Marku, teksa ka komentuar situatën e krijuar në Durrës, Tiranë, Thumanë dhe rrethinat e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit, është shprehur se, lëkundjet e forta të tokës nxorrën në pah abuzimet që janë bërë me ndërtimet në këto 30 vite.
Ndërsa sa i përket dorëheqjes së kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako, Marku thekson se, nuk ishte pasojë e deklaratës së saj, që u bë virale në rrjet. Sipas tij, deklarata e Sakos: “për fat të mirë përfundoi me 51 viktima” ishte një lapsus dhe sipas tij asaj iu bë presion nga grupet e interesit, të cilët synojnë për të mbuluar krimin.
“Pasojat e tërmeti janë të lidhur me abuzimet që kemi bërë këto 30 vite. Pasojat e mëdha kanë ardhur nga vendimmarrjet politike. Tonet e ngritura nuk justifikojnë asgjë. Kryebashkiakja e Durrësit mendoj se ka pasur presion nga grupet e interesit, të cilët synojnë për të mbuluar krimin. Ky tërmet ka zbuluar krimin urbanistik të kryer në Durrës dhe në Tiranë. Ajo nuk e ka dhënë dorëheqjen për shkak të asaj deklaratës, sepse ishte një lapsus. Ajo mendoj e dha dorëheqjen për të mbuluar gjurmët e krimit. E vërteta po fshihet”, tha Marku.
Më tej, profesori shton se, qeveria po sillet si një shoqatë vullnetare, ku kryeministri qan, ndërkohë që po përhap edhe frikë.
“Unë e shikoj një arrogancë nga ana e qeverisë, ku qeveria po shfaqet si shoqatë vullnetare. Qeveria nuk është vullnetare, ne duhet të falënderojmë ata që janë vullnetarë me të vërtetë, qeveritarët nuk duan të qajnë as të lotojnë. Nëse qan kryeministri, çfarë duhet të bëjnë ata tjerët. Ata po përhapin frikën. Mund të bjerë luftë nesër, të çmendet dikush dhe të na sulmojë qytetet, çfarë duhet të bëj burri i shtetit, duhet të menaxhojë situatën. Ata janë çorientuar, i ka gjetur të papërgatitur, një pjesë e këtyre dëmeve do ishin më minimale nëse do të ishin marrë masa me 21 shtator. Ka një keq menaxhim dhe po them se ka 6 vjet se ne jemi në këtë zhurmë propagandistike, Kjo qeveri di të bëjë vetëm fjalë për të dalë në televizor. Unë dyshoj se edhe në këtë rast qeveria po merret shumë pak me terrenin”, deklaron Marku.
I pyetur për ftesën e kryeministrit për opozitën në menaxhimin e fatkeqësisë natyrore, Marku u shpreh se është thjeshtë propagandë e radhës nga ana e tij.
“E ka propagandistike! Nga ana tjetër e fton opozitën. A kemi ne një plan konkret, se si do të përballohet me kosto dhe me grup pune. U bënë shtatë ditë që rri vërdallë, ka përqafuar të gjithë qentë e Tiranës dhe Durrësit. Unë mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi për të përballuar këtë gjendje. Tërmeti nuk paralizon demokracinë. Opozitën e do aty që të bëjë foto. Sjellja e Bashës është korrekte. Qeveria po thotë i kemi siguruar qytetarët në hotele me 5 yje”, shprehet Mark Marku.