Peleshi: E turpshme si një ish-ministër financash kundërshton formalizimin e ekonomisë

 

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi u takua sot me fermerë të qarkut Korçë. Në qendër të takimit ishte nisma e qeverisë për formalizimin e sektorit bujqësor. Rajoni i Korçës është shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pasi përbën fushën e dytë bujqësore më të madhe në Shqipëri, pas Myzeqesë. Zëvendëskryeministri përgëzoi fermerët e këtij qarku, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht nismës së qeverisë për formalizimin e aktivitetit bujqësor.

“Dua të përgëzoj fermerët e qarkut të Korçës që krahas atyre të Fierit janë kampion në Shqipëri sa i përket përgjigjes pozitive për formalizmin e shpejtë të bujqësisë e të fermës shqiptare. 2670 fermerë sot janë pajisur me NIPT-in e fermerit. Na është dashur të përballojmë një kërkesë shumë të madh ditët e fundit, sepse përgjigja ndaj reformës tonë kundër informalitetit dhe për formalizimin e ekonomisë nga fermerët e Korçës të Fierit, por edhe gjithë Shqipërisë ka qenë shumë e madhe.”

Përkundër spekulimeve, pajisja me NIPT, siguroi Zëvendëskryeministri, nuk ngarkon me asnjë kosto shtesë fermerin, por e bën fermerin pjesë të sistemit formal të ekonomisë dhe rrit mundësitë e daljes lirshëm në treg.

“Të jesh sot një fermer me NIPT do të thotë se je futur në sistemin formal të ekonomisë shqiptare dhe të bujqësisë në rastin konkret, do të thotë që ke mundësi të shesësh lirshëm produktet e tua, por mbi të gjitha t’i shesësh ato me kosto zero. Siç e dini, Tatimi i Vlerës së Shtuar rimbursohet në masën 100%. Kështu që kostoja e fermerit të pajisur me NIPT është zero, ndërkohë përfitimet janë të mëdha.”

Zëvendëskryeministri theksoi se është për të ardhur keq kur spekulohet me shitjen e prodhimeve, ndërkohë që faktet flasin për dyfishim të eksportit të tyre.

“Është për të ardhur keq të shikosh ish ministrin e Financave, tetë vjet në detyrë të dalë kundër nismës sonë për formalizimin e bujqësisë. Është për të ardhur keq kur spekulohet me shitjen e prodhimeve, ndërkohë që këtë vit, ne kemi shifrat këtu, pothuaj është dyfishuar eksporti i shumë prej prodhimeve tona, duke filluar nga molla, nga kumbulla që është shitur plotësisht. Eksportet janë dyfishuar, gjë që tregon se jemi në një vit të mirë. Nuk mund të themi se kemi arritur përsosmërinë. Sistemi i ekonomisë bujqësore sapo ka filluar të konsolidohet, por ajo që dëshiroj të them është që ne nuk jemi për zgjidhje elektorale apo afatshkurtra të shitjes së prodhimeve.”

Fermerët e mbështetën nismën për formalizimin e aktivitetit të tyre, ndonëse fillimisht, siç u shprehën ata, u gjendën para spekulimeve të mëdha, sa i përket pajisjes me NIPT. Ata e konsideruan këtë një vit të mirë si për prodhimet e tyre, ashtu edhe për shitjen e tyre.

“Fshatarët u tunduan duke u mashtruar se ne që do grumbullojmë mollët do tatohemi me 80 lekë për kg nga shteti. Kundër NIPT-eve është vërë një propagandë shumë e keqe, duke ju thënë, duke nxjerrë NIPT-in do tatoheni,” – tha një fermer.

“Prodhimi ka qenë i mirë dhe shitja është bërë në një mënyrë shumë të mirë, që nga kultura e qepës, patatja e molla. Unë kam diçka sa i përket kryetarit të opozitës që vajti në Devoll dhe tha që nuk është shitur molla, është shitur me 50 lekë. Një përgjigje duhet t’i jepet shumë e mirë se molla është shitur më mirë se çdo gjë tjetër sivjet. Unë jam nga Zyrina dhe aty është vendi i mollës dhe shitja që është bërë sivjet duke filluar nga Kosova, Maqedonia, Greqia, në Mal të Zi. Edhe molla që është e rënë është shitur,” – u shpreh një tjetër fermer.

SHKARKO APP