Peleshi në Ministerialin e Mbrojtjes në Bruksel: Të lirohen policët, e patolerueshme futja e forcave serbe në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi duke folur në Ministerialin e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që po mbahet në Bruksel, kërkoi kthimin në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe në Veri të Kosovës.

Pop ashtu ministri Peleshi theksoi se forcat ushtarake apo policore të Serbisë nuk kanë të drejtë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Ai nënvizoi se në këtë moment duhet të shikohet me prioritet dhe urgjencë kthimi në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer.

“NATO duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e FSK-së si një institucion themelues që do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët. Njohja e Kosovës dhe integrimi i saj euroatlantik janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë”, tha Peleshi.

Ministri theksoi gjatë fjalës së tij edhe rëndësinë që Aleanca duhet t’i japë rajonit të Ballkanit. Ai dënoi sulmet e fundit të dhunshme kundër trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës. “Ne mbështesim plotësisht mandatin e KFOR-it dhe punojmë intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd”, shtoi më tej Peleshi.

SHKARKO APP