Peleshi: Paketa për rritjen e pensioneve është një realitet
Drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi u shpreh se qeveria synon adresimin e një pakete të rritjes së pensioneve dhe shpërblimeve sa më dinjitoze për pensionistët.
Në një takim me pensionistët e Korçës për të diskutuar me ta mbi skemën e pensioneve, Peleshi theksoi se, “nisma për rritjen e pensioneve ka lidhje me të gjitha sfidat e qeverisë për rritjen e ekonomisë dhe të shumë treguesve makroekonomikë dhe uljen e informalitetit”. Për të synimi është që në rritjen pozitive të ekonomisë të marrin pjesë të gjithë aktorët e shoqërisë, të kontribuojë dhe të përfitojë çdo kategori e shoqërisë.
“Ne synojmë t’i japim pensionistëve pension dinjitoz për të gjithë kontributin që kanë dhënë në vite dhe dekada. Sot jemi me lajme të mira sepse sot është një mundësi të flasim se çfarë po bëjmë me ekonominë tonë dhe luftën kundër informalitetit, me qëllim që paketa e rritjes së pensioneve dhe shpërblimeve sa më të drejta të jetë një realitet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe sot ne flasim në terma afatshkurtër”, deklaroi Peleshi.