Peleshi: Vatrat në Laç dhe Vlorë janë shuar plotësisht
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje lidhur me situatën e zjarreve në vend. Ministri Niko Peleshi sqaron se është bërë e mundur shuarja e zjarrit në kurorën me pisha të Laçit ndërsa vijon puna nga terreni për të izoluar vatrën e zjarrit në fshatin Sinanaj të bashkisë Tepelenë dhe në fshatin Grazhdan në Finiq.
“Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme kanë bërë të mundur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin.
Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike qe prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorihet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor.
Gjithashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë. Në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht. Falë ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive”.