Peng që prej të premtes, asnjë gjurmë për pukjanin. Zbardhen detajet
Një 48-vjeçar nga Puka, banues në zonën e Bathores, vazhdon të mbahet peng që prej paradites së djeshme, kur u fut me forcë në një makinë nga dy persona të maskuar.
Fillimisht, ai u dhunua fizikisht e më pas dy autorët e morën peng, duke u larguar me shpejtësi me një automjet dhe pas lanë vetëm disa njolla gjaku në asfalt. Ngjarja ndodhi në orën 11:44, në rrugën “London”, në Kamzë të Tiranës.
Policia është lajmëruar nga dëshmitarët për ngjarjen e ndodhur dhe shërbimet kanë shkuar me shpejtësi në vendin ku kishte ndodhur konflikti e më pas edhe pengmarrja.
Dëshmitarët u kanë treguar shërbimeve të Policisë se dy persona, të cilët dyshohet të kenë qenë të maskuar, kanë rrahur një person e më pas e kanë futur me forcë në makinë e janë larguar.
Burimet thanë se është bërë këqyrja e kamerave të sigurisë së një biznesi pranë vendit të ngjarjes, por përmes tyre e më pas edhe familjarëve është arritur të identifikohet vetëm i dëmtuari.
Të njëjtat burime thanë se personi që dyshohet të jetë marrë peng, është shtetasi J. P., 48 vjeç, por nuk dihet asgjë rreth autorëve të kësaj ngjarje.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje të një makine, e identifikuar nga kamerat e sigurisë, por të paktën deri në orët e mbrëmjes nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së autorëve apo vendit se ku mbahet pengu, që më pas të veprohet me lirimin e tij.