Peng shpronësimet në Kukës, pista e aeroportit u merr tokë, banorët presin paratë
Banorët e Shtiqënit në Kukës kanë mbetur pengje të shpronësimit të tokës që u merret për zgjerimin e aeroportit atje. Janë më shumë se 30 familje që në vazhdimësi kanë kërkuar zgjidhje për këtë çështje dhe zgjidhje sipas çmimit të tregut për tokën që u merret.
Punimet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit kanë nisur pa dhënë zgjidhje problemit të vjetër të shpronësimit të tokave të fshatit Shtiqën.
Janë mbi 30 familje që presin shpronësimin e tokës për të cilën me herët kanë kërkuar çmimin e tregut.
“Nuk jam dakord me çështjen e shpronësimeve. Sa i përket pistës dhe rrugës, kam 44 dynym tokë që nuk kam marrë 5 lekë si familje.”
Banorët thonë se për shkak të situatës nga pandemia do të tregohen të duhuar, por pritja nuk do jetë e pafund.
“Do të presim rrugët ligjore, se shpronëson firma apo shteti, lekët janë që në kohën e Fatos Nanos në bankat e shtetit shqiptar.”
Për çështjen e shpronësimeve, kryetari i Bashkisë Kukës, thotë se pjesa më e madhe e banorëvve të Shtiqënit i kanë pronat të rregullta dhe kanë vetëm për të marrë certifikatën.
Gjici: Shumica e tyre i kanë pronat vetëm për të marrë certifikatën e pronësisë. Ka mbi tre javë që ka filluar puna në aeroport, janë prishur ndërtesat e vjetra dhe terminali i vjetër dhe ka filluar projekti i ri.
Banorët, tokat e të cilëve preken nga projekti i aeroportit të Kukësit në vazhdimësi kanë kërkuar shpronësim me vlerën e tregut të tokave të marra për zgjerimin e pistës.