Pensionet, aplikim vetëm online/ COVID-19 mbyll sportelet fizike për shërbimet që ofron Instituti

Shërbimet që ofron Instituti i Sigurimeve Shoqërore, do të jenë vetëm online, në kuadër të zbatimit të masave të ndërmarra nga qeveria për frenimin e përhapjes së Coronavirusit. Përmes një njoftimi zyrtar, ky institucion thekson se  në zyrat e pritjes pranë agjencive të sigurimeve shoqërore nuk do të ofrohet shërbim në sportele, për të shmangur kontaktet fizike.

“Në çdo agjenci janë afishuar numrat e telefonave të punonjësve për të asistuar këdo që kërkon ndihmë për aplikim apo shërbim. Dokumentet origjinale duhet të dorëzohen përmes Postës shqiptare sha, në adresë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku aplikohet për shërbim”, thuhet në njoftim. Po ashtu ISSH njofton se edhe aplikimet për pagesat e barrëlindjes do të bëhen online dhe raportet e barrëlindjes, si dhe raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme do të skanohen dhe do të ngarkohen në portal.

Pagesat për barrëlindje do të paguhen normalisht nëse aplikimi është bërë online dhe kanë bashkangjitur kopje të skanuara të raportit mjekësor, pavarësisht mungesës së raportit origjinal. Raportet origjinale duhet të dërgohen me postë në adresë të DRSSH. Personat që janë invalidë dhe kanë datën e rikomisionimit do t’iu shtyhet rikomisionimi për më vonë, ndërkohë që pagesa do të vijojë për ta edhe për këtë muaj.

ISSH bën me dije se personat që tërheqin në bankë pensionin dhe që duhet të bënin deklaratat pranë bankave për vazhdimin e pagesës do ta përfitojnë pagesën, ndërkohë që deklarimi do t’iu shtyhet.

SHKARKO APP