Pensionistët në “dietë”, festë pa shpërblimin për fundvit
Kur ka mbetur një javë nga festat e Vitit të Ri, pensionistët duhet të përgatiten që ta festojnë pa shpërblim këtë vit.
Kryeministri Rama nuk e tha një “JO” të prerë, por nën rreshta e la të nënkuptohet një gjë të tillë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, mbetet vetëm një javë nga festa e Vitit të Ri, pensionistët a duhet të mbajnë ende shpresë për sa i përket një shpërblimi?
Rama: Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do flasim edhe për këtë. Sigurisht që çka na ka ndodhur na ka bëre më të kujdesshëm do thoja, jo të frenuar se ideja ka qenë dhe mbetet që ne të mos cënojmë prioritetet dhe sigurisht që pensionistët nuk janë kurrë një kategori që ne mund ta harrojmë, apo neglizhojmë, por, nga ana tjetër, jemi të kujdesshëm, sepse duam të jemi të sigurtë 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë na duhet të presim edhe rezultatet e Konferencës së Donatorëve dhe të gjithë këtij procesi angazhimi të miqve e partnerëve për fondet, në mënyrë që të kemi një qartësi mbi sa do jetë barra e përgjithshme dhe sa do jetë barra jonë në barrën e përgjithshme. Kështu që, për këtë gjë do komunikojmë në vijim, por sigurisht që është një pyetje me vend dhe është një shqetësim që unë e kam shumë të qartë dhe shumë të fortë.
Por ndërsa qeveria është në pritje të rezultateve të konferencës së donatorëve, ky aktivitet do të mbahet në fund të janarit 2020.
Asnjë kritikë për Ministrat
Pyetje: A i kanë plotësuar të gjithë ministrat pritshmëritë dhe a keni rezerva për ndonjërin për tyre për 2019-ën?
Rama: Unë besoj që kur sheh punën e bërë dhe kur sheh me orë të tëra shumë gjëra që janë bërë, apo në janë në proces vërtet mendoj që është një punë goxha e madhe dhe ndoshta një nga gjërat që ne do shohim si mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi për këto punë, pasi në një pjesë të tyre me të drejtë ju nuk keni vëmendje, sepse keni gjëra që janë më tërheqëse dhe më të rëndësishme atë ditë për publikun, çdo ditë ka lajmet e veta, çdo ditë ka ngjarjet e veta, çdo ditë ka sensacionet e veta, kështu që, në këtë aspekt nuk mund të fajësoheni, por mbase ne mund të fajësojmë veten për mosgjetjen ende të mënyrave të duhura për të përçuar te publiku informacion mbi shumë gjëra që faktikisht janë bërë dhe bëhen.