Peqin, sekuestrohen 300 kubikë me fidanë kanabisi, dy në pranga dhe një në kërkim
Policia e Peqinit ka parandaluar një rast të kultivimit të bimëve narkotike duke sekuestruar 300 kubikë të mbjellë me fidanë kanabis, tre automjete, një sasi lekësh e sende të tjera.
Në pranga kanë përfudnuar dy persona.
“Si rezultat janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, në vendin e quajtur ‘’Zgabel i Madh’’, në fshatin Pajovë të Njësisë Administrative Pajovë të Bashkisë Peqin, shtetasit:K. D., 25 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe Sh. K. 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Pajovë, Bashkia Peqin” njoftoi policia.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. K., 31 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 300 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, kubikë me pleh për të kultivuar fara kanabisi, një pajisje me helikë centrifugale me motor me depozitë karburanti në të, çadër si ato ushtarake, një sasi lekësh, tre automjete fuoristrada pa targa, në pronësi të shtetasit Sh. K. dhe pajisje shtëpiake.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Elbasan, për veprën penale ‘’Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim’’.