Peqin/ Vdes në burg anëtari i bandës famëkeqe, familja: E kanë helmuar, shteti e izoloi

Andon Mëhillaj, njeriu që akuzohet se gjente klientët për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, ndërroi jetë në burgun e Peqinit, aty ku vuante dënimin me burg përjetë. Ngjarja e mistershme ka ndodhur të dielën e 2 shkurtit dhe janë familjarët ata që publikuan lajmin, duke ngritur dyshime se mund ta kenë helmuar. “Vuante nga zemra që në momentin që hyri në burg. Shteti e ka lënë të izoluar. Ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore”. Dyshohet se ka qenë një nga gardianët e burgut të Peqinit që e ka gjetur fillimisht brenda qelisë pa ndenja Andon Mëhillajn më pas ai ka humbur jetën në tentativë për tu transportuar drejt spitalit të burgut në kryeqytet.

I dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale, në 2014 Mëhillaj u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e kësaj bande famëkeqe. Ai u cilësua si kreu i bandës së tritolit në Vlorës, pasi personat që kishin konflikte me ta, i ekzekutonin përmes vendosjes së tritolit në makina, biznese apo banesa. Mëhillaj u akuzua se ishte sekseri që ndërmjetësonte “pazaret” mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatatorit.

Deri më tani dyshohet se shkak i vdekjes së tij është bërë pikërisht një komplikacion me zemrën, ndërsa pritet që të kryhet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar përfundimisht shkaqet e vdekjes. Mësohet se në burgun e Peqinit, prej dy javësh në këtë burg nuk ka mjekë, pasi drejtori i pushoi dhe nuk i ka zëvendësuar. Të njëjtën gjë, tha edhe deputeti Lefter Maliqi gjatë interpelancës me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. “Vajti polici për ta zgjuar, por e gjeti pa ndjenja dhe e çoi në spital të vdekur për shkak se administrata është kthyer në KÇK, nuk ka infermierë dhe mjekë”.

Në banesën e Andon Mëhillajt në Vlorë është vetëm e shoqja e tij së bashku me fëmijët dhe vjehrrën, ndërsa prindërit e Andon Mëhillajt ndodhen në Itali ndërsa ende nuk e kanë marrë vesh lajmin për vdekjen e të birit.

https://arkiva.kohajone.com/vdes-ne-burg-maliqi-gjonajt-ska-mjeke-vajti-polici-ne-mengjes-por/

SHKARKO APP