Për ata që rrudhin buzët me koalicionin!
Nga Genc Pollo
Për ata që rrudhin buzët me koalicionin!
Në fillimet e pluralizmit dhe në zgjedhjet e 22 marsit 1992, PD bëri aleancë me PSD e Gjinushit e më vonë (1996, 1997) me një fraksionin të PSD (që u kthye në parti) mbasi fraksioni i Gjinushit u orientua nga PS.
Në v.2005 PAA e Xhuvelit u bashkua me koalicionin rreth PD-së që ishte fitues.
Në v.2009 PD bëri koalicion me LSI për të arritur mazhorancën parlamentare e për të qeverisur edhe 4 vite.
Në v.2017 fushata e Lulzimit kryesisht sulmoi LSI-në (e cila kandidonte më vete dhe jo në aleancë me PS). Pasoja ishte perceptimi i PD-së si partner junior në koalicion me PS-në, i Lulzimit si zv kryeministër në qeverinë Rama 2; pasoja e këtij perceptimi ishte humbja e interesit për të votuar nga elektorati demokrat, fryrja me vota opozitare e LSI-së dhe disfata historike më e thellë për PD-në e Lulzimit.
Në mars 2021 Lulzimi nënshkroi koalicion parazgjedhor me LSI-në. Ky ishte një ndër pak veprimet e arsyeshme; pavarësisht nga dritëhijet e bashkëpunimit gjatë fushatës deri në 25 prill.
Po i rendis këto fakte historike për të kujtuar lexuesin se aleanca e koalicioni me parti të vogla të spektrit të majtë ka qenë i zakonshëm për PD-në. Koalicioni me PS-në ka ndodhur vetëm në situata të jashtëzakonshme si 1991, 1997 dhe, fatkeqsisht, 2017.
Gjithashtu, për të tërë ata që vërejnë propagandën e Grupimit Lulzimi se për “koalicionin PD-LSI” (natyrisht nuk përmendin as partitë e tjera e as uzurpimin e vulës/siglës nga Lulzimi) duhet kujtuar se do të votohet për kandidatë të Partisë Demokratike legjitime. Të cilët fituan në primare.
Të gjitha partitë në opozitë (jo vetëm LSI e Demokristianët) po përkrahin kandidatët tanë. Përballë janë kandidatët socialistë; me asistencë nga personat që do të fusë në garë Grupimi Lulzimi.
Vini re se bëhet fjalë për garë mazhoritare me një raund. Jo për zgjedhje në këshillin bashkiak ku çdo parti hedh në fushë listën me kandidatët e saj.
Çdo votë që i hiqet kandidatit të PD-së nga Grupimi Lulzimi i shërben direkt regjimit Rama e mëkëmbësve të tij në gjashtë bashkitë.