Për dashurinë e humbur, balerina 21 vjeçe vret veten me armën e të atit
Dilemat për këtë ngjarje janë të shumta, pasi nga vetë pozicioni ku u gjet trupi i pajetë, si dhe nga vetë stili i jetesës që e reja bënte kohët e fundit, flasin për një vetëvrasje të përgatitur. Shkaku nuk është qartësuar plotësisht, por fakt është gjendja e rënduar psikologjike e studentes së Akademisë së Arteve, e cila kohët e fundit kishte marrë përmasa shqetësuese për familjarët. Nga marrja në pyetje e të afërmve të vajzës, si dhe nga deklarimet e miqve të saj, gjithçka vërtitet rreth një historie dashurie, të përfunduar para disa vitesh, por që 21-vjeçarja duket se nuk e kishte harruar. Ajo që e ka rënduar më tepër gjendjen emocionale të vajzës, është fakti që ish i dashuri ishte martuar para një jave. Vajza kishte garuar si balerinë vitin e kaluar tek emisioni “E diela shqiptare” në “TV Klan”, ndërsa sivjet ishte në vitin e tretë për Koreografi, në Akademinë e Arteve.
Vetëvrasja
Studentja e vitit të tretë të degës Koreografi në Akademinë e Arteve është kthyer më herët se zakonisht nga shkolla. Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, pasi është mbyllur në dhomën e saj, në një pallat afër tregut elektrik, fqinjët kanë dëgjuar vetëm një të shtënë arme. Menjëherë është lajmëruar policia, ndërsa pak më vonë në shtëpi kanë mbërritur vëllai dhe motra e Megi Yzeirajt, të cilët e gjetën pa jetë. Dërgimi për në spital rezultoi i kotë, pasi vajza kishte vdekur përpara se motra dhe vëllai të hynin në shtëpi. Kështu, policia kreu veprimet e para hetimore dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes rezultoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e një plumbi pistolete, në pjesën e barkut, gjë e cila i ka sjellë prekjen e organeve vitale. Mes të tjerave, pasi dëgjoi dëshminë e prindërve, policia po mban të shoqëruar babanë e vajzës, pasi pistoleta që përdorej prej tij mbahej pa leje në ambientet e shtëpisë.
Shkaqet
Për të përcaktuar shkaqet e vetëvrasjes, ekspertët e Komisariatit Nr. 1 të Tiranës kanë saktësuar deri më tani vetëm një pistë: depresionin. Por nga se ishte shkaktuar? Burime të mirëbesuara nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Shqip”, se në disa dëshmi të administruara dje rreth kësaj ngjarjeje, bën përshtypje një fakt i përbashkët, ajo e një historie të herët dashurie, përfundimin e së cilës vajza nuk mund ta përballonte edhe pas tri vitesh. Miqtë dhe të njohurit e Megit thanë se qëkur ishte nxënëse në Liceun Artistik në Tiranë, vajza ishte e lidhur me një djalë në të njëjtën shkollë, por kjo lidhje dashurie kishte përfunduar para tri vitesh. Një e dhënë ndihmuese për grupin hetimor, në përcaktimin e rëndimit të gjendjes depresive të vajzës, kohët e fundit, aq sa i kishte shkaktuar edhe çrregullime në mënyrën e ushqyerjes, pasi kohët e fundit ishte shëndoshur tepër, është edhe pjesa e martesës së ish të dashurit, një javë më parë. Kjo është një e dhënë shtesë nga miqtë, porse të afërmit kanë konfirmuar faktin se Megi po vuante tepër për shkak të dashurisë. Vizitat e fundit mjekësore dhe medikamentet nuk ia kishin zbutur dot këtë gjendje të rënduar 21-vjeçares dhe për fatin e saj të keq duket se dhembja doli para saj. Gjithsesi, policia është duke i sqaruar rrethanat e vetëvrasjes. Para disa muajsh, një tjetër vajzë i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i 11, në ish-Bllok, ku shkaku mbetej i njëjti: ai i dashurisë.
TË DHËNA
Vetëvrasja – Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, pasi është mbyllur në dhomën e saj, në një pallat afër tregut elektrik, fqinjët kanë dëgjuar një krismë arme
Familjarët – Menjëherë është lajmëruar policia, ndërsa pak më vonë në shtëpi kanë mbërritur vëllai dhe motra e Megi Yzeirajt, të cilët e gjetën pa jetë
Babai – Pasi ka dëgjuar dëshminë e prindërve, policia po mban të shoqëruar babanë e vajzës, pasi pistoleta që përdorej prej tij mbahej pa leje
Motivi – Policia thotë se ka vetëm një pistë: vetëvrasjen. Ish i dashuri i Megit, me të cilin ishte ndarë tri vite më parë, u martua para një jave