Për ne që fati na i ndau këpucët, e na la, një brenda e një jashtë dere

Foto realizuar nga Soela Zani
Nga Dori Camaj
Dashurinë time për këtë vend,e kam mat me rrahje zemre.
Kam udhëtuar pafund me rrugë ajrore e tokësore,me një zemër të fashuar aq sa mos mbetej më i kuq me u pa n’mure t’saj..
Nuk do ta harroj kurrë herën e parë që kthehesha me veturë për në Tiranë..
Rruga dukej vite e gjatë… natyrisht kur njeriu nuk e ka provuar diçka në jetë,kurrsesi nuk mund ta dijë sa zgjat dhe se ku po shkon…
I afrohem kufirit shqiptar në Muriqan..
Para meje, një fytyrë e lodhur,rrudha të prera mbi lëkurë, uniformë e mbërthyer deri në grykë…
Ishte dhjetor, acar, borë sa të hante syu gjithandej.
Nuk e kisha kuptuar ende që po hynim në tokën shqiptare, natyrisht,ora qe 03:00 e mëngjesit…
Zgjas dorën,jap pasaportën,pa folur asnjë fjalë..e kisha dhënë e marrë në s’di sa kufinj deri në atë moment…
Papritur më bie nga dora,dhe pa menduar fare,hapa derën e makinës,e mora pasaportën nga toka dhe e drejtoj dorën nga kabina ku polici qëndronte në të..
-Më fal,-i them…më ra nga dora…
Polici qeshi krejt leht,e me kokën gjysmë të ulur foli..
-Shyqyr që ju pru Zoti shnosh n’kët qamet…
-A për shpi jeni?
M’u drodh zemra…për shpi!!!!
-Po,i them..dhe zëri u ngrit vetvetiu…
Që nga ai moment dhe derisa kam kaluar urën e Bahçallëkut n’Shkodër,kisha krijuar një pellg lotësh në gjoks dhe zemra filloi të frymonte pa fasho n’trup…
Në të njëqindën e sekondës,para syve të mi, fytyra e nënës, babës, motrës, vëllait….e dera e shtëpisë dhe aroma e saj…
Nuk e dinin që do vija, nuk u thashë se do merakoseshin prej kohës së keqe e do i lija me sytë nga dera për njëzet e katër orë…
Nuk di ta shpjegoj atë të qarë me gulç,e sytë që treteshin në çdo pemë e fushë përgjatë gjithë rrugës,
di veç se gjithçka më dukej sikur më njihte dhe buzëqeshte…
Ora 05:00 , në prag të shtëpisë…
Nuk i rashë ziles,trokita lehtë të mos i trembja prindërit…
Derën e hap mami..
I qesh me gjithë qënien time,pa folur asnjë fjalë…
Ajo më sheh,e mpirë e gjitha,
kthehet me sy nga dhoma,dhe pëshpërit..
-Ou,sa t’gjalla m’jan bërë ëndrrat…!!!!
Foto Soela Zani

SHKARKO APP