Për Vitin e Ri mijëra të dënuar do të lirohen nga qelitë

 

 

Do ikin nga qelitë. Para festave të fundvitit, mijëra të dënuar do të dalin nga burgu, pasi do të përfitojnë nga amnistia. Ministria e Drejtësisë i ka propozuar qeverinë projektligjin për amnistinë, që me shumë gjasë do të miratohet brenda pak ditësh në Parlament.

“Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit public” thuhet në nenin 2 të projektligjit.

Amnistia prek thuajse të gjithë ata që u dënuan me burg për ndërtimet pa leje, mospagim të energjisë elektrike apo mungesës së dokumenteve të qarkullimit.

Nga amnistia përfitojnë të dënuarit me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht me gjobë apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Në draft thuhet gjithashtu se përfitojnë personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

Në kategorinë e përfituesve, hyjnë edhe të dënuarat femra, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, meshkujt, mbi 60 vjeç, si dhe personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Nga projektligji nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, si krime kundër njerëzimit, krime seksuale, krime kundër jetës etj. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti as personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë nga drejtësia.

PROJEKTLIGJ
Nr._____, datë ________
PËR
DHËNIE AMNISTIE
Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja “ë”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi dhe parimet e ligjit
1. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik.
Neni 2
I dënuar
I dënuar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Neni 3
Kriteret për përfitimin e amnistisë
Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji:
a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji), apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
d) personat e dënuara femra, që, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
e) personat e dënuar meshkuj, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
f) personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 103, 104, 139, 140 e 141, të Kodit Penal.
Neni 4
Kushtet për dhënien e amnistisë nga vuajtja e dënimit
Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 dhe kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji, u amnistohet:
a) 1.5 vjet, për personat e dënuar gra dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.
b) 1 vit për personat e dënuar burra.
Neni 5
Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë
1. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:
a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal;
b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c e 81, 82, 83/a, 83/b, 84, 84/a, 85, të Kodit Penal, si dhe nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;
c) vepra penale, të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, 89/a, 99 të Kodit Penal;
ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a dhe 108, 108/a, të Kodit Penal;
d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i dytë i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111, të Kodit Penal;
dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, paragrafi e dytë dhe i tretë i nenit 117 të Kodit Penal;
e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë, të nenit 124, paragrafin e tretë, të nenit 124/b, nenet 128/a dhe 128/b, 129, 130/a, të Kodit Penal;
ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, 137, paragrafi i dytë, i nenit 137/a, paragrafi i dytë, i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë, i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 143/b, 144/a, 152, 175, paragrafi i dytë dhe i tretë, të nenit 180, 181/a, të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 59, të Kodit Penal Ushtarak;
f) vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve të parashikuara në nenet 186, 189, 191 Kodit Penal;
g) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/a, 206/b, të Kodit Penal;
h) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;
gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228, të Kodit Penal;
i) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, 232/b e 233, 234, 234/a, dhe 234/b të Kodit Penal;
j) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 248/a, 250, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 265, 265/a, 265/b, 265/c, 266, 267, 270, 278, 278/a, paragrafi i dytë, i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 285, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë, i nenit 289, 290, 298, të Kodit Penal; neni 70, i Kodit Penal Ushtarak;
k) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e, të Kodit Penal;
l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 330/a, 331 dhe 332, të Kodit Penal;
l) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.
2. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.
Neni 6
Dispozitë zbatuese
Ngarkohen ministri i Drejtësisë, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes dhe Prokurori i Përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SHKARKO APP