Përafrimi me BE, Klosi: Politikat mjedisore kërkojnë 70 ndryshime ligjore
Në kuadër të çeljes së negociatave me BE, ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur diskutimet për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE. Në fjalën e tij ministri Blendi Klosi tha se politikat mjedisore kërkojnë të paktën 70 ndryshime ligjore sipas direktivave të BE.
Klosi: Edhe në këtë kuadër edhe diskutimi i sotëm është për shumë pika që kanë të bëjnë me kapitullin 27, i cili shënon të paktën 70 ndryshime ligjore, për të cilën çdo njërën prej tyre ne duhet të kemi një diskutim të hapur publik.
Për këtë Klosi kërkoi angazhimin e grupeve të interesit për të patur një Shqipëri më të pastër dhe më pranë BE-së.
Klosi: Ftesa e ministrisë së Mjedisit është për të tre komunitetet, për akademinë dhe për trupën pedagogjike, pasi e gjejmë të udhës që ne na duhet shumë që të kemi bashkëpunim të drejtë me ju.
Ministri theksoi se janë marrë masat për reduktimin e ndotësve të mëdhenj si dhe për lehtësimin e raporteve të biznesit me administratën.
Klosi nuk la pa përmendur edhe vështirësinë e kapitullit 27 duke kërkuar edhe hapjen e diskutimeve me opinionin publik.