Perandori japonez, Biden e Erdogan, liderët që do të marrin pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka konfirmuar se po planifikon të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës. Ndërsa ende nuk janë bërë të ditura planet zyrtare për funeralin e saj, ceremonia pritet të zhvillohet brenda 10 ditëve pas vdekjes së saj, sipas mediave të huaja.

Monarkja 96-vjeçare vdiq të enjten në Balmoral, Skoci, e rrethuar nga anëtarët e familjes mbretërore. Homazhet për sovranen kanë vërshuar nga e gjithë bota, duke përfshirë Biden, i cili e përshkroi atë si një “grua shteti me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme”.

Biden ishte presidenti i 13-të dhe i fundit amerikan që takoi Mbretëreshën, mbretërimi i së cilës zgjati shtatë dekada. Mbretëresha kishte takuar çdo president amerikan që nga Dwight Eisenhower, me përjashtim të Lyndon Johnson sepse ai nuk e vizitoi Britaninë gjatë presidencës së tij.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk pritet të marrë në ceremoni, pasi një zëdhënës i lartë të Kremlinit tha se Mbretëresha nuk ka “zënë vend në zemrat e rusëve”.

Pas lajmit për vdekjen e saj, Putin i dërgoi mbretit Charles një telegram duke i ofruar ngushëllimet e tij dhe duke i uruar atij forcë përballë humbjes së tij të parikuperushme.

Ndërsa presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se do të dëshironte të merrte pjesë në funeralin e Madhërisë së Saj. Ai u tha gazetarëve se e njihte mbretëreshën, pasi e kishte takuar dy herë në Pallatin Buckingham dhe i ka dërguar ngushëllimet më të thella familjes mbretërore.

Një tjetër lider që pritet të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës është Emmanuel Macron. Presidenti francez shprehu “trishtim të thellë” dhe një ndjenjë “zbrazëtie” pas vdekjes së monarkes dhe vlerësoi “dashurinë e saj të madhe për Francën”.

Duke e përshkruar atë si një “kryetare të madhe shteti”, ai shtoi se Britania dhe Franca kishin krijuar një “partneritet të ngrohtë, të sinqertë dhe besnik” nën mbretërimin e saj.

“Për ju, ajo ishte mbretëresha juaj. Për ne, ajo ishte mbretëresha”, tha Macron.

Perandori i Japonisë Naruhito po planifikon të marrë pjesë në funeral dhe ai mund të shoqërohet nga kryeministri Fumio Kishida, kanë raportuar mediat japoneze.

Do të ishte udhëtimi i parë i perandorit jashtë shtetit që nga marrja e fronit në maj 2019.

SHKARKO APP