Përballja EKMA- Konkurrenca për gjobën, më 19 shkurt pritet vendimi
Më 19 shkurt do të mbahet gjyqi ku pritet të merret vendimi për përballjen ligjore mes Autoritetit të Konkurrencës dhe kompanisë EKMA, në bashkëpronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu e Haxhi Bardhi, cila administron tregun e Shumicës Agroushqimore në Tiranë.
Ditën e djeshme u dëgjuan konkluzonet e Autoritetit të Konkurrencës që kërkoi lënien në fuqi të gjobës ndaj kompanisë EKMA, në vlerën 46 milionë lekë. Kjo gjobë argumentohet me faktin se EKMA ka abuzuar me pozitën dominuese ndaj tregtarëve në tregun Agro-ushqimor të Tiranës. Ndërsa avokatët e EKMAS këruan rrëzimin e gjobës. Gjyqtari kërkoi 5 ditë kohë për të shpallur vendimin, i cili pritet të jepet më 19 shkurt në orën 14:45.
Autoriteti i Konkurrencës përfaqësuar nga avokati Indrit Rekan më herët ka deklaruar në seanca gjyqësore se gjoba është e drejtë dhe duhet të mbetet në fuqi pasi EKMA abuzon ndaj tregtarëve me faturim prej 20.5 lekësh për kË/h për energjinë elektrike ndaj tregtarëve dhe 360 lekë m3 për ujin kur çmimet janë disa herë më të lira.
Një tjetër pretendim i Autoritetit të Konkurrencës ishte dhe fakti se EKMA ka një monopol dhe kontratat e qirasë i ka vetëm me penalitetet ndaj tregtarëve dhe asnjë detyrim si qiradhënës.
Ndërkohë, sipas avokatëve të EKMA-s Autoriteti Konkurrencës ka shkelur ligjin pasi asnjë tregtarë nuk është ankuar dhe nuk është larguar nga tregu si dhe gjatë hetimit administrativ nuk janë mbajtur parasysh investimet e bëra nga EKMA e cila është edhe në bashkëpronësinë e biznesmenit Allajbeu.
Për pozitë dominuese dhe shkelje të rregullave të konkurrencës autoriteti ka gjobitur EKMA me 46 milion lekë gjobë ndërsa sipas Autoritetit EKMA ofron çmime disa fish më të larta se tregu i shumicës në Elbasan duke përfituar nga monopoli që ka.
Ky është tregu i vetëm i shumicës për produktet Agro-Ushqimore në Tiranë ndërsa u ndërtua pas mbylljes së tregut Dinamo.
KOHA JONË SONDAZH

