Përdhunimi i minorenes, SHÇBA heton Komisariatin e Kavajës
Për tre muaj në Kavajë u mbajt në heshtje historia e tmerrshme e përdhunimit të një minorene nga 7 adoleshentë në shkollën 9-vjeçare “Rilindja”. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat po heton lidhur me procedurat e ndjekura nga Komisariati i Policisë së Kavajës. Ngjarja e rëndë ka nisur në muajin tetor, ndërsa ndalimi i 7 të rinjve nga policia e qytetit u bë më 2 shkurt, ndërsa një tjetër është në kërkim.
Më herët për rastin në fjalë, Komisariati i Policisë së Kavajës ishte njoftuar edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror por nuk u mor asnjë masë, si për t’i mbajtur në vëzhgim 8 adoleshentët, për të ndërhyre më shpejt në kohë. Pastruesja e shkollës “Rilindja”, në Kavajë më datë 22 janar ka marrë informacion rastësisht për abuzimin që kryhej me vajzën 14-vjeçare, për të cilin njoftoi mëseuesen kujdestare të së miturës dhe drejtoreshën e institucionit. SHÇBA-ja mësohet se ka sekuestruar praktikën e ndjekur nga titullari i shkollës, për të parë nëse është njoftuar inspektori i policisë së zonës si edhe kohën kur janë njoftuar prindërit e vajzës. Nga dita ku u zbulua rastësisht abuzimi me 14-vjeçaren e deri në ekzekutimin e urdhrave të ndalimit, janë dashur më shumë se 10 ditë për forcat e rendit. 15-vjeçari që dyshohet se ishte i dashuri i vajzës vijon të jetë ende në kërkim. Prindërit e të miturës kanë bërë denoncim në Komisariatin e Kavajës më datë 29 janar, pasi kishin parë gjendjen e rënduar psikologjike të vajzës por nuk ishin njoftuar nga shkolla për atë që i kishte ndodhur vajzës së tyre.
Babai i së miturës ka thënë se gjithçka ka nisur pasi vajza e tij hyri në marrëdhënie me një shokun e klasës. Ky i fundit, në pabesi e kishte xhiruar me anë të një shoku tjetër duke kryer marrëdhënie dhe përmes kësaj videoje, ata e shantazhonin vajzën. Nëse ajo nuk i nënshtrohej marrëdhënies seksuale me shokë të tjerë, ata do t’i publikonin videon për ta turpëruar në sytë e të gjithëve. Vajza ndodhet aktualisht në gjendje të qëndrueshme psikike, ndërsa i është nënshtruar edhe ekspertizës mjekoligjore, pas së cilës mjekët kanë dalë të tronditur. Nga ana tjetër, babai thotë se tashmë po përgatitet ta largojë vajzën nga Kavaja, për t’i siguruar asaj një jetë më të mirë në një vend të Bashkimit Europian.
KOHA JONË SONDAZH

