Përdorimi i maskës, lëvizje politike/ Studiuesi pyet Ramën: Cila është evidenca shkencore?
Në një lidhje direkte nga Zvicra për RTV Ora, studiuesi i epidemiologjisë Taulant Muka ka komentuar ecurinë e Koronavirusit në vendin tonëdhe vendimin më të fundit të qeverisë e cila e bën të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në ambjente të hapura.
Sipas tij, kjo ngjason më shumë me një lëvizje politike të qeverisë se sa me një masë të mbështetur në evidence shkencore.
Taulant Muka: Të them të drejtën, kur pashë postimin e kryeministrit në Twitter, me pak fjalë, teksa lajmëronte këtë vendim, u ndjeva i irrituar edhe pse nuk jetoj në Shqipëri. Kjo për faktin se, lajmërime të tilla që janë shumë të rëndësishme e kur bëhet një masë e detyrueshme për të gjithë popullin, shqiptarët duhet të njoftohen nga studiuesit, specialistët me qëllim të orientojnë publikun dhe publiku të kuptojë pse po bëhet kjo masë.
Po në Twitter, qeveria dhe ministria njoftonin se kishin situatën nën kontroll, tani po japin një masë të re. Pse po e bëjmë një gjë të tillë? Cila është evidenca shkencore që mbështet përdorimin e maskës dhe a i ka kapacitetet qeveria shqiptare për një lloj maske që të jetë efikase?
Kjo, mendoj, krijon irritim te publiku dhe kjo do të thotë se qeveria shqiptare nuk ka një komunikim transparent me publikun. Jo një komunikim që udhëhiqet nga faktet shkencore por duket më shumë një komunikim politik dhe përdorimi i situatës për qëllime politike.
Xhoi Malësia: Nga ana shkencore, si e sheh këtë lëvizje? A është aplikuar në vende të tjera?
Taulant Muka: Ka shumë diskutime mbi faktin nëse maskat janë efikase ose jo. Studimet që kemi sot në botë janë të një cilësie shumë të ulët. Studimet për përdorimin e maskave në komunitet ose mungojnë, ose janë një metodologji shumë e dobët e për rrjedhojë efikasiteti I tyre në përdorimin komunitar nuk dihet ende.
Në Europë të detyruar e ka vetëm Italia, ndërsa në disa shtete të tjera si Gjermania apo në Zvicër që nis nga dita e nesërme, është përdorimi I maskës në ambjente të brendshme, sidomos kur nuk respektohet distancimi fizik.
Duket që Shqipëria po zgjedh një ekstrem tjetër, por ka diferenca të mëdha. Këtu në Zvicër ka një kontroll më të mire të përdorimit të maskave dhe ke mundësi të blesh maskë të një cilësie më të lartë, ndërkohë në Shqipëri qytetarët nuk I kanë këto mundësi ekonomike.