Përfituan 38 mijë €/ Vidhnin adresa Facebook dhe u kërkonin të afërmve para, arrestohet një tjetër i kërkuar
Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, për shkak se akuzohet për veprën penale ”Mashtrimi kompjuterik”.
I arrestuari, në bashkëpunim me disa të tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive.
Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike.
Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar 5 muaj më parë nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 shtetas, ka vijuar puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi Sh. B., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Kompjuterik u bë kapja dhe u ekzekutua urdhri i prokurorit për shtetasin në kërkim Sh. B., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndryshimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Mashtrimi kompjuterik”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.
Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.