Përfshirja e shqiptarëve në ISIS, çfarë ndodh me të kthyerit?

Ndikimi i ISIS-it tashmë është i shtrirë edhe në Kosovë. Njerëzit që pranuan thirrjen për xhihad janë në vijë të frontit. Por, a do të mund Kosova t’i risocializojë luftëtarët e ISIS-it nëse ata përballen me ligjin dhe vuajnë dënimin në Kosovë?

Nga Valdet Devaja

Po bëhen katër vjet që kur toka e Levantit u trondit nga qeveria diktatoriale e Bashar al Assadit, lufta ndaj të cilit i solli popullit sirian e më vonë edhe atij irakian mijëra viktima. Si produkt specifik i atyre rrethanave lindi dhe u fuqizua më 2011 organizata terroriste Islamic State of Iraq and Siria (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), formuar në vitin 1999 nga jordanezi Abu Musab al-Zarqawi.

Deri në 2004-n grupi u quajt Jamawat-Tawhid wa-al-Jihad, fazë kjo lojaliteti ndaj Al Kaedës së Osama Bin Ladenit, në luftë të përbashkët kundër forcave ushtarake vendase dhe atyre amerikane në Irak. ISIS qëndroi në margjina të Al Kaedës deri në fillimin e luftës civile në Siri më 2011, atëherë kur komandanti i saj suprem, Abu Bekr al Bagdadi urdhëroi lëvizjen e trupave nga Iraku në Siri për të ndihmuar organizatën tjetër terroriste Jabhat al-Nusra, e njohur ndryshe si Al-Kaeda në Siri.

Ky grup i armatosur kishte fituar reputacionin e organizatës që kishte çliruar shumë territore nga ushtria qeveritare dhe milicitë shiite-proqeveritare. Kjo bëri që në radhët e Jabhat al-Nusra të aderonin vullnetarë nga e gjithë bota, mes tyre edhe shqiptarë, me idenë e instalimit të një shteti islamik me bazë në Sheriat. Jabhat al-Nusra bashkëpunoi me grupet e armatosura siriane antiqeveritare, që ishin më të moderuara, duke synuar instalimin e një shteti demokratik në mbështetje edhe të shteteve të Perëndimit.

Për dallim nga kjo organizatë, ISIS që nga fillimi bie në kundërshtim dhe konflikt të armatosur me çdo grup opozitar që nuk i bindej, shkaku i konfliktit të interesave të ndryshme, arsye kjo e ndërprerjes së bashkëpunimit edhe me Jabhat al-Nusren. ISIS, që definitivisht nuk është pjesë e Al-Kaedës prej shkurtit 2014, mbetet i vetëm në luftën kundër forcave qeveritare e antiqeveritare siriane, mirëpo përkundër që logjikisht pritej dobësimi, ndodhi e kundërta, organizata u rrit fuqishëm, u forcua financiarisht, por edhe me muxhahedinë të rinj nga rajoni e bota, mes të cilëve ishin edhe shqiptarë, duke u zgjeruar në territore.

Duke bashkëndjerë situatën dhe persekutimet e sunitëve në Irak, Al Bagdadi në verën e 2014-s sulmoi qytetin e Mosulit dhe Tikritit, duke mundur një ushtri prej 20-30 mijë ushtarësh qeveritarë irakianë. Kjo pasi që ushtarët sunitë dezertuan. Marrja nën kontroll e këtyre dy qyteteve, konfiskimi i armatimit dhe teknikës ushtarake, hapja e bankave ku u gjetën rreth katërqind milionë dollarë, bëri që ISIS-i  si organizatë të mos varej më nga donacionet e sheikëve dhe princërve arabë. Propaganda e suksesshme për ta paraqitur veten si organizatë gardiane e myslimanëve në botë bëri që të jetë tërheqëse për luftëtarët e shenjtë-muxhahedinë nga e gjithë bota.

Thirrja për të iu bashkuar ISIS-it u bë më tërheqëse edhe në Kosovë, një shtet i vogël evropian që nuk ka pasur asnjëherë nismë serioze për luftimin e ekstremizmit islamik. Qeverisja e UNMIK-ut në Kosovë që udhëhoqi vendin nga paslufta e deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, nuk shfaqi vullnet politik që të ballafaqohej e luftojë ekstremizmin islamik, i cili po merrte përmasa shqetësuese për shoqërinë kosovare. As Kuvendi i Kosovës, përkundër raportit të detajuar të  Departamentit për Antiterrorizëm të Policisë së Kosovës, të vitit 2005, nuk e trajtoi seriozisht situatën dhe u bë njëkohësisht përgjegjës për zgjerimin e fenomenit por edhe pasojat që do të shfaqeshin vite më vonë.

Heshtja dhe injorimi institucional zgjati deri me fillimin e luftës në Siri më 2011, kur një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve iu bashkuan Jabhat al-Nusras e me vonë ISIS-it. Vetëm pas presioneve ndërkombëtare, Policia e Kosovës me urdhër të Pokurorisë Speciale të Kosovës arrestuan me një pompozitet të madh medial, një numër të konsiderueshëm të akuzuarish për pjesëmarrje në grupe terroriste dhe rekrutim për terrorizëm. Mes të arrestuarve pati edhe persona publikë që ushtronin funksione politike, por edhe të punësuar të Bashkësisë Islame.

Në mungesë të hetimeve paraprake serioze dhe mungesës së fakteve, shumica prej tyre u liruan, ndërkaq që operacioni mbeti veç një spektakël shtetëror që përveç mitizimit të figurave të të arrestuarve, nuk solli asgjë konkrete. Sulmi para pak kohësh në Francë shkaktoi alarmim global ndaj terrorizmit islamik pasi edhe njëherë bëri që të reflektohej për rrezikun nga terroristët që mund të ktheheshin në vendet e origjinës. Kjo bëri që të ngrihen shumë pyetje sesa është i përgatitur shteti i Kosovës në rast të kthimit të qytetarëve pjesëmarrës në ISIS.

Përveç arrestimit dhe dënimit, si do të trajtoheshin shoqëruesit e tyre, gratë e fëmijët e traumatizuar nga frontet e luftës? Si do të rehabilitoheshin e risocializoheshin të tillët, a ka ndonjë program adekuat të detoksikimit nga ekstremizmi fetar? Nga praktikat e deritashme të shteteve të cilat janë ballafaquar me terrorizmin dhe luftimin e tij, suksesi ishte i mangët te vendet si Iraku të orientuara vetëm ne luftimin, e jo edhe në parandalimin dhe risocializimin e personave të dënuar për terrorizëm.

Shpesh persona te dënuar për terrorizëm pas vuajtjes se dënimit, apo mbajtjes së stërzgjatur në paraburgim pa u gjykuar, janë radikalizuar edhe më shumë në idetë e tyre dhe janë shfaqur më brutalë në realizimin e atyre ideve. Në konferencat dhe forumet e mbajtura muajve të fundit, përfaqësuesit politikë kosovarë po mburren me sukseset e arritura në luftimin e terrorizmit. Përmendin edhe miratimin e shpejtë të ligjit “Për ndalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja” duke proklamuar penalizimin e tyre, edhe pse sa i përket legjislacionit, Kosova ka një Kod të mirëfilltë Penal, me të cilin penalizohet rekrutimi apo pjesëmarrja në grupe terroriste.

Mirëpo, institucionet gjegjëse në Kosovë duhet të kryejnë me përgjegjësi funksionin e tyre duke dhënë mbështetjen e pakompromis në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, por pa u përfshirë politikisht, në mënyrë që institucionet e tjera kompetente të mund të punojnë në mënyrë të pavarur e profesionale. Deri atëherë le të mbështetemi veç në vetëdijen individuale të qytetarëve!

Marrë nga Gazeta Jeta në Kosovë

SHKARKO APP