Përfundon afati i OFL-së, SPAK dhe GJKKO do të shqyrtojnë veç çështjet e regjistruara
Siç ishte parashikuar në aktin normativ, OFL-ja do të pushojë së funksionuari në 31 dhjetor, ndërsa në gjykatë dhe në SPAK do të shqyrtohen vetem çështjet që janë regjistruar deri në këtë datë. Qeveria e ka marrë këte vendim pak ditë më parë ndërsa ndryshimet e bëra pritet të botohen në Fletoren Zyrtare. Pra e thënë ndryshe pas 31 dhjetorit të këtij viti, OFL-ja nuk do ti dërgojë formularin asnjë subjekti, ndërsa hetimi ose verifikimi pasuror nëse janë kushtet do të bëhet në bazë të ligjit antimafia.
I nisur në muajin shkurt të këtij viti, OFL-ja ishte parshikuar ti kishte efektet deri datën 31 dhjetor, të paktën për sa i përket dërgimit të formularëve në drejtim të personazheve problematikë me të shkuar kriminale, të dënuar apo të akuzuar për krim të organizuar. Për shkak të numrit të madh të subjekteve u mendua se do të shtyhej afati i tij.
Për afro 11 muajsh nga nisja e efekteve të këtij ligji shifrat flasin për 589 persona të skeduar që u ka shkuar formulari për deklarimin e pasurisë dhe në total më shumë se 1550 pasuri të sekuestruara. Nga këto, vetëm 120 çështje kanë përfunduar në Gjykatën e Posaçme për sekuestrimet. Me vendim të kësaj të fundit janë konfiskuar 11 pasuri, të cilat i kalojnë përfundimisht Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, nga 56 pasuri të kërkuara për konfiskim nga SPAK dhe janë në proces konfiskimi 45 të tjera.