Përfundon aksioni në Kumanovë, vriten 5 pjesëtarë nga grupi i armatosur

 

Pas gati 18 orë terror, përplasje me armë ku flitet edhe për 9 viktima dhe shumë të plagosur në Kumanovë përfundoi aksioni. Mediat maqedonase flasin edhe për 5 persona të vrarë nga grupi i personave të armatosur.

Në prangat e policisë janë 26 persona, pasi u dorëzuan me flamur të bardhë.

Policia po përcakton numrin e të vrarëve në radhët e grupit të armatosur. Mediet vendase raportojnë se njëri nga personat e armatosur ka vrarë veten.

Ka qenë ora 19:30 kur mediat vendase maqedonase raportuan për dorëzimin e një pjese të grupit.

Situata  ishte e tensionuar në lagjen “Trimat” apo rrugën “Tode Mendol” kryesisht të banuar me shqiptarë, në Kumanovë që prej orës 05: 00 të mëngjesit të së shtunës, 9 maj,

Të shtëna armësh nuk pushnin, ndërsa helikopterët patrullonin mbi qytetin që shtrihet rreth 40 kilometra larg Shkupit. Pasdite nisi dhe evakuimi i banorëve të kësaj zone.

REL informonte se ndërsa aksioni në Kumanovë vazhdonte, në Qendrën e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup janë parë më shumë se 10 helikopterë teksa zbresin herë pas here për të sjellë të plagosur.

Zyrtarisht ende nuk ka njoftime për numrin e të plagosurve apo për viktimat eventuale.Agjencia shtetërore e lajmeve MIA njofton se deri më tani nga përleshjet me forcat e armatosura kanë mbetur të plagosur 20 policë. Ndërsa Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare konfirmoi për Ora News se një vajzë 8 vjeçare dhe dy prindërit e saj shqiptarë janë vrarë.

Policia maqedonase thotë se kishte ndërmarrë një operacion pasi zbuloi dhe sulmoi një grup të armatosur, që ishte strehuar në disa shtëpi në “Lagjen e Trimave”, të banuar me popullatë shqiptare dhe që sipas saj planifikonte sulme terroriste në Maqedoni.

Mediat shkruajnë dhe emrin e një prej shqiptarëve që ka mbetur i vdekur. Ai është Fadil Fejzullahi nga lagjja “Trimat”. Ndërkohë ambasada e SHBA-se, OSBE, BE Ministria e Jashtme shqiptare dhe ajo e Kosovës bëjnë thirrje për qetësi.

Analistët mendojnë se kjo është një strategji e qeverisë së Gruevskit për të zhvendosur vëmendjen nga situata e tensionuar politike dhe protestat e shumta të mbajtura në Shkup, pas publikimit të videopërgjimeve nga lideri i opozitës Zoran Zaev, në të cilat zbardhen të gjtiha aferat kriminale të qeveritarëve.

SHKARKO APP