Përfundon rehabilitimi i një tjetër pallati, Veliaj: Fokus te projekti i “100 lagjeve”, për të prekur çdo rrugicë”
Shembulli i Thanas Dhespos, i cili dy vjet më parë me dëmshpërblimin për 16 vitet e vuajtjeve në burgjet e komunizmit rikonstruktoi fasadën e pallatit ku jetonte, është ndjekur edhe nga banorët e tjerë të lagjes. Pallati i radhës i rehabilituar nga Fondi i Komuniteteve ndodhet në Rr. Fadil Bodinaku, ku gjysmën e financimit e kontribuan banorët dhe gjysmën tjetër Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë banorët që të bashkëpunojnë me administratorin e pallatit të tyre, për të aplikuar pranë bashkisë për të përfituar nga Fondi i Komuniteteve.
“Është një gëzim shumë i madh sa herë vjen në një lagje që po transformohet. Edhe në këtë zonë, që njihet si “Pallatet e INSIG-ut”, të bëra në vitet ‘94-95, sigurisht, pa ato rregullore të forta, pa mbikëqyrje, në vitet e rrumpallës ku secili mundohej të kandisej sipas mundësive me një shtëpi në Tiranë, cilësia linte për të dëshiruar. Janë pallate që kanë degraduar, që fusin lagështirë, që harxhojnë shumicën e faturës vetëm për ngrohje dhe ftohje se janë pa termoizolim. Por, është bekim i madh të qeverisës një qytet ku banorët merren vesh me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se ky transformim është rezultat i bashkëpunimit mes banorëve, të cilët kanë gjetur dakordësinë. “Fakti që sot pothuajse e gjithë lagjja është kompletuar – ka ngelur ndoshta një shkallë e fundit, sa të gjejmë dakordësinë, pastaj fusha e basketbollit, sheshi i lojërave me një lulishte – është kthyer në një stoli për gjithë zonën. Një shtëpi këtu, pak muaj më parë dukej në gjendje skandaloze, e degraduar, por sot, krejt papritur, e njëjta shtëpi me termoizolim, e rregulluar estetikisht, me një lulishte, ka tjetër vlerë në treg”, shtoi ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar nga kjo mundësi që u vjen në ndihmë për të përmirësuar cilësinë e jetës.
Krahas investimeve kryesore, një nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës është projekti i “100 lagjeve”, me impakt të drejpërdrejtë tek komuniteti. “Po vazhduam me këto ritme, po mbështetëm njëri-tjetrin, po u bashkuam për të punuar dhe jo për t’u marrë me fjalë, do të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e dëgjesave për buxhetin, ku ata vetë na thonë se si duan që të shpenzojnë paratë e buxhetit të bashkisë dhe pastaj, ne do të marrim parasysh të gjitha kërkesat. Sigurisht, projekti kryesor ku do të fokusohemi është ai i “100 lagjeve”. Pra, siç kemi bërë gjërat e mëdha në Tiranë, tani duhet të futemi lagje më lagje, për të cekur çdo rrugicë dhe çdo minishesh që mund ta lirojmë për t’ua kthyer fëmijëve, të moshuarve dhe komunitetit”, tha Veliaj.
Në prag të festave të nëntorit, kryebashkiaku ftoi banorët e kryeqytetit që të vendosin në ballkonet e shtëpive flamujt kuqezi. “Dua t’i ftoj qytetarët që, ashtu si ky pallat, ku secili ka vënë flamurin kuqezi për të pritur 75-Vjetorin e Çlirimit dhe festat e nëntorit, ta bëjmë të gjithë. Sot Tirana është në faqet e mediave ndërkombëtare si një qytet që po bën progres të jashtëzakonshëm, por kemi parasysh që kemi shumë shumë punë ende për të kapur ata përpara nesh”, tha Veliaj. Rikonstruksioni i pallatit përfshiu restaurimin e fasadës, termoizolimin për rritjen e eficencës së energjisë elektrike, ndërsa bashkia po vijon investimin për këndin e lojërave dhe sheshin e pushimit.