Përfundon shkolla e katërt në Pezë, Veliaj: U shërbejmë të gjithëve

Ky shtator do të jetë i veçantë për nxënësit dhe prindërit e fshatit Pajan në Njësinë Administrative Pezë. Shkolla e re e rindërtuar pas tërmetit, e cila është shkolla e 4-rt që ndërtohet në Pezë, i bashkohet buqetës së 12 shkollave të reja që çelin dyert këtë vit arsimor dhe zgjidh njëherë e mirë udhëtimet e nxënësve me furgona në shkolla të tjera më të largëta.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Toni Gogu inspektuan mjediset e reja, të cilat kanë hapësira të dedikuara edhe për parashkollorin, duke krijuar lehtësi për fëmijët dhe prindërit.

Kjo është shkolla e katërt që ndërtojmë në ish-komunën Pezë, e cila dikur me kushtet modeste që kishte, thjesht i mirëmbante shkollat. Duke u bashkuar si njësi administrative e Tiranës, sigurisht, investimet u rritën dhe krejt papritur nga komunë, kjo njësi ka një fuqi më të madhe ekonomike se sa kur mbahej vetëm me taksat e vogla modeste të Pezës. Filozofia e kryeministrit ishte që, fatkeqësinë e tërmetit, ta kthenim në një mundësi të jashtëzakonshme për rindërtim, edhe për të prodhuar realisht xhevahire”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se pavarësisht debateve, bashkia ka treguar se u ka shërbyer të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike. “Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve, pastaj secili ka shijen e tij: dikush e do shkollën e verdhë, dikush e do blu. Prandaj, nuk duhet ta humbim fokusin me debate të kota, çfarë i pëlqen njërit, çfarë i pëlqen tjetrit, por me debatin më të rëndësishëm: a u shërbejmë të gjithëve? Përgjigjja është po! Me këtë shkollë u shërbejmë të gjithëve, nuk kanë rëndësi bindjet”, shtoi ai.

Veliaj nënvizoi se shkollat e ndërtuara në periferi kanë të njëjtën cilësi si ato në qendër të Tiranës.

SHKARKO APP