Përfundon verifikimi, 4 kandidatë për kreun e FBI-së shqiptare janë të pastër
E ngritur që në vitin 2016, së fundmi Prokuroria e Përgjithshme, informon se ka përfunduar verifikimin për kandidatët që garojnë për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, kanë mbetur 4 kandidatët e fundit në garë. SPAK-u do të bëjë edhe Vetting-un e kandidatëve që do të asistohet nga komisioni me dy prokurorë dhe një gjyqtar.
Mbas verifikimit, Komisioni përzgjedhës do të çojë katër emrat e kandidatëve të renditur sipas pikëve, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku edhe do të bëhet votimi për të zgjedhur drejtuesin e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
BKH është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që heton veprat penale të zyrtarëve të lartë dhe rastet e krimit të organizuar, pranë SPAK-ut. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi të marrë detyrën, do t’i nënshtrohet një trajnimi të gjatë në Shtetet e Bashkuara nga Federalet Amerikane.
Kandidatët janë:
1. Aida Veizaj
2. Artur Beu
3. Ervin Hodaj
4. Idajet Faskaj
Çfarë është Byroja Kombëtare e Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të jetë strukturë e posaçme për hetimin e korrupsionit të funksionarëve të lartë publikë, përfshi të zgjedhurit vendorë. Funksioni i BKH-së është identik me funksionin e Policisë Gjyqësorë për hetimin e krimeve të tjera.
BKH do të jetë nën varësinë e Ministrisë së Brendëshme. Drejtori i BKH-së propozohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe emërohet nga Ministri i Brendshëm, pasi merret paraprakisht pëlqimi i Prokurorit të Përgjithshëm.
Drejtori i BKH-së shërben për 5 vjet, më të drejtë riemërimi. Ai shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi merret më parë pëlqimi me shkrim i Prokurorit të Përgjithshëm. Ai shkarkohet nga detyra në rast se: dënohet për një vepër penale; për shkelje të Kushtetutës ose shkelje të rënda të ligjit; për sjellje në kundërshtim me rregulloren e Policisë së Shtetit që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij; për shkelje të rënda të displinës në ushtrimin e funksioneve të tij.
Prokurori i Përgjithshëm përcakton një prokuror të Prokurorisë së Shkallës së Parë osë të Krimeve të Rënda për të drejtuar dhe bashkëpunuar në hetimet e BHK-së. Punonjësit e BKH-së emërohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe duhet të zgjidhen nga rradhët e policëve aktualë.
Një Komision i Pavarur i Rishikimit me ekspertë të drejtësisë penale, që caktohen nga misionet e BE-së dhe SHBA-ve, do të monitorojë rekrutimet, trajnimet dhe shkarkimet e punonjësve të BHK-së.