Përgatitjet për 25 prillin, ende pezull identifikimi biometrik dhe vota e emigrantëve
Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik në 20% të zgjedhësve në të gjithë territorin e vendit do të kryhet nga KQZ, në veçanti nga nënkomisionerja Lealba Pelingu.
Kjo vjen si rezultat i mungesës së zgjedhjes së një kompanie, ku 6 prej 20 të cilave KQZ u ka dërguar një letër për ofertën se sa do të kushtojë teknologjia për zgjedhjet e 25 prillit.
Mësohet se çmimi i tyre ka qenë më i lartë se sa kishin parashikuar ekspertët e KQZ dhe ekspertët e partive, ndërkohë që ende nuk është zgjedhur fituesja e tenderit me anë të një procedure të shpejtuar.
Nëse një proces i tillë nuk përfundon deri në fund të javë, teknologjia rrezikon të dështojë.
Gjithashtu edhe vota e emigrantëve është një tjetër sfidë, pasi Këshilli Politik ia ka lënë në dorë vendimin KQZ, e cila ka ngritur një grup pune dhe ende nuk është arritur në një produkt final. Ky proces pritet t’u japë mundësinë të gjithë emigrantëve shqiptarë që të votojnë më 25 prill, pas thirrjeve të qeverisë ndaj këtyre individëve për t’u regjistruar në portalin e-albania.
Ende nuk është vendosur nëse do të shërbejë e-albania si një regjistër përfundimtar për regjistrimin e votuesve.
Sakaq sot janë miratuar 95 ZAZ, ndryshe nga 2017 ku ishin vetëm 90 të tilla. Sot janë shtuar dy, respektivisht një në Fier dhe një në Berat.