Përgatitjet për vitin e ri shkollor, Sindikata e Arsimit: Më shumë vëmendje te nxënësit, jo te provimet kualifikuese
Fillimi i vitit të ri shkollar për sindikatën e pavarur të arsimit, do e vendos këtë sistem përball disa vështirësive. Sipas tyre, në këtë periudhë ministria e Arsimit duhet ta kishte më shumë vëmendjen te procesi mësimor e jo te provimet kualifikuese të mësuesve dhe te gara për drejtues shkollash.
Shumë pranë nisjes së viti të ri shkollor, për Sindikatën e Pavarur të Arsimit nuk ka ende një plan konkret se si do të zhvillohet mësimi.
Gjatë këtij muaji Ministria e Arsimit ka zhvilluar testet e kualifikimit për mësuesit si dhe ka hapur garën për drejtues shkollash 9 vjeçare dhe gjimnaze.
Për zv. kryetarin e kësaj Sindikate, Arjan Peraj, ministria e linjës duhet të fokusohet më së shumti me mënyrën se si do të zhvillohet mësimi dhe të angazhohet për të punësuar më shumë mësues.
‘’Më mirë të mendohet një strategji që këto nxënës të jenë aktiv në të mësuar, dhe të mos merren me emërimin me konkurse false të militantëve të saj politikë, në shkolla.’’
Lidhur me provimin e kualifikimit Peraj thotë se janë penalizuar shumë mësues të cilët nuk janë testuar për njohuritë e fushës që mbulojnë.
‘’Vetë Ministrja i ka quajtur heronj mësuesit pas daljes nga pandemia. Këto heronj, ishin të gjithë në sistem, të cilët u kualifikuan, dhe tani na dalin rezultate të dobëta. Asnjë mësues nuk mund të marrë sot për sot testin e vet. Pse është penalizuar?’’
Garën për drejtues shkollash, sindikata e pavarur e arsimit e konsideron më shumë si një proces që punëson militantët e partisë.
‘’Gjithmonë njerëz të cilët janë afër komisioneve të partisë në pushtet, janë zakonisht fitues.’’
Sipas vendimit të fundit të ministrisë së Arsimit shkolla nis në 14 shtator, ndërsa mësohet se ministria e arsimit po vijon intensivisht me regjistrimin e orëve mësimore që do të transmetohen në TVSH shkolla.