Përgjërimi drithërues i të moshuarës: Do vdes në rrugë me 2 vajzat e paralizuara

Me trupin e saj të vogël dhe me sytë që përgjërohen për ndihmë, Sadetja shpesh qëndron para derës së shtëpisë. Me shpresën se dikush do të kujtohet për të. Por, askush nuk e viziton, madje pak kush e njeh edhe pse ka gjithë jetën që banon në Durrës. Është 77 vjeçe, por është plagosur në shpirt që prej 50 vitesh tashmë. Të dyja vajzat e saj janë diagnostikuar me paralizë cerebrale që në lindje dhe me kalimin e kohës gjendja e tyre është përkeqësuar, duke i lënë të paralizuara. Ku shpesh kanë edhe kriza epileptike.

“Shyqyr që u kujtua një njeri se nuk vjen njeri të më shohë mua. Nuk do t’ia dijë askush, jam në ditë të vështirë shumë. Unë kërkojë ndihmë për një asistente që të më ndihmojë me pagesë. Sepse unë nuk jam në gjendje, jam e sëmurë vetë.”

E moshuara është e vetmja përkujdesje për vajzat e sëmura, por edhe vetë Sadetja nuk është aspak në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo vuan nga sëmundja e trombozës dhe tensioni shumë i lartë. Por, i jep vetes forcë sepse ndryshe Suzana dhe Albana nuk kanë më asnjë shpresë. Ndaj edhe kur del jashtë, mundohet me mjete rrethanore që të mbrohet prej rrezikut nga gjendja e koronavirusit.

“Kur dal jashtë e mbuloj fytyrën me bluzë. Nuk kam maskë, vetëm kam sajuar një si mbrojtje me xhepat e një palë pantallonave të vjetra. Po e ruaj shumë veten se ku do i çoj gocat unë. Kam frikë se jam e vjetër dhe mos më kap. Do mbaj shpirtin gjallë se për gocat e mija kush do mendojë pastaj. Çfarë do të hanë ato?! Kemi tre ditë që hamë përshesh me fasule, se unë nuk kam me çfarë t’i ushqej.

Tani që ka ardhur dhe sëmundja unë kam mbetur pa asgjë fare. Që në dhejtor që kam ikur prej asaj shtëpisë tjetër, unë nuk kam më asnjë që të më ndihmojë. Atje kisha një komshie që më ndihmonte për t’i shplarë aty te krevati. Por, këtu nuk kam askënd. Unë nuk kam fuqi që t’i kthej.”

Pamundësia për ta paguar gjithmonë qiranë në kohë, ka sjellë edhe ndërrimin e shpeshtë të shtëpive, pasi pronarët i nxirrnin jashtë. Duke e lënë Sadeten me vajzat e paralizuara në mes të katër rrugëve dhe të pasigurta nëse nesër do të kenë një çati mbi kokë.

“Trembem kur vjen pronari po nuk pata lekët. Sepse ai nuk lë që të kalojë dita, dua qiranë më thotë. Ndryshe merr plaçkat dhe ik. Ku të shkoj unë me dy të sëmura dhe aq më tepër që është sëmundja nëpër këmbë!? Unë nuk kam ku të shkoj, do të vdesim rrugëve.”

Rasti u prezantua edhe mbrëmjen e kaluar gjatë emisonit special “Opinion”. Ku në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe” bënë thirrje që kushdo që mundet, të ndihmojë njerëzit në nevojë. Veçanërisht në këto të vështira, të cilëve më shumë se çdo gjë sot i mungon buka e gojës.

Bamirësia nuk të varfëron!

https://www.facebook.com/FundjaveNdryshe/videos/2626264170991621/

SHKARKO APP