Përgjimet e Antimafias italiane, Këlliçi: Në 3 vite mafia e betonit ka pastruar në Tiranë 1.6 miliardë euro

Në një intervistë për RTV Ora, kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka folur rreth skandalit të përgjimeve të anti-mafias italiane, të publikuara fillimisht në RTV Ora dhe Ora News, ku shihet se Ndragheta ka shtrirë tentakulat e saj edhe në qeverinë shqiptare dhe bashkinë e Tiranës.

Sipas Këlliçit, sot kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të kërkojë drejtësi siç bëri për ish-ministrin Saimir Tahiri.

Kreu i FRPD shtoi se sot në Tiranë janë dhënë 2.3 milionë metra katrorë leje ndërtimi.

Ndërkohë, Këlliçi falënderoi RTV Ora dhe Ora News për publikimin e këtyre transkripteve.

Belind Këlliçi: “Skandal i denjë për këtë qeveri. Se vetëm qeveria e drejtuar nga Edi Rama mund të jetë autore e këtyre skandaleve. Dhe nga ana tjetër, i përgjigjet këtij standari se partner kryesor ka mafian, ka korrupsionin dhe sigurisht nuk ka interesin e qytetarëve.

Unë dua ta nis me një falënderim për televizionin tuaj se jeni ju të parët që e keni bërë publike të gjitha dokumentet, transkriptin, janë 1000 faqe në mos gaboj të një hetimi disa vjeçar të antimafias italiane, të cilin ju po e bëni hap pas hapi transparent për publikun dhe do ju inkurajoja. Sa e vështirë është të bësh transparencë dhe të jesh media e lirë, me gjithë presionin që bëhet ndaj medias. Konkretisht e Erion Veliaj ndaj Ora News. E përmend këtë jo si një qokë ndaj televizionit tuaj, por si një e vërtetë”.

Sipas Këlliçit, kjo nuk është hera e parë që kjo mazhorancë del në përgjigjet e antimafias italiane, duke sjellë shembullin e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

“Është rast i përsëritur. Ka qenë antimafia italiane që ka çuar para drejtësisë Saimir Tahirin kur opozita ka dhënë mbi 1 mijë deklarata, konferenca shtypi për kanalizimin e Shqipërisë, për lidhjet e ministrisë së brendshme me trafikun e drogës, për faktin që ishin kthyer shefat e komisariateve në roje të parcelave, Edi Rama tallej, anatemonte opozitën. Baltoste çdo opozitar që ngrinte zërin dhe ishte antimafia italiane që zbuloi se të gjitha faktet e dhëna nga PD ishin tronditëse, por ishin të vërteta“, tha Këlliçi, i cili shtoi se kjo është hera e dytë që Erion Veliaj del përgjimet e antimafias italiane.

Kjo është hera e dytë që Erion Veliaj hetohet nga antimafia dhe del si kryebashkiaku i Tiranës dhe pse jo me emër, bie në përgjimet e antimafias italiane dhe Ndraghetas. Ka rënë herën e parë përmes skandalit të “EcoTiranës”. Në vitin 2016, ka qenë kompania “EcoTirana”, e krijuar nga Erion Veliaj dhe Flavio Tossi, ish kryetar i bashkisë së Veronës, ku ishte 51% aksionere Bashkia e Tiranës dhe bashkia e Veronës 49% aksionere dhe kishte të bënte me përpunimin e mbetjeve. Kompania që ishte pjesë e aksioneve të palës italiane, “AGSM”, përmes kompanisë “AIMA”, kishte administrator Andrea Migliorazzin. Ky, së bashku me Arbjan Maznikun, të famshin e darkës në Dubai që nuk kishte asnjë lidhje në atë darkë, ishin administratorë të kësaj kompanie dhe më pas kur u bënë publike transkriptet e antimafias italiane u tërhoq Migliorazzi në 2018 nga “EcoTirana” dhe sot është i arrestuar në dijeni time dhe Flavio Tossi i shkarkuar. Sepse pastronin para për mafian italiane.

Sërish Erion Veliaj del në përgjimet e antimafias italiane. Për lejet e ndërtimit, për betonizimin e Tiranës. Është absurde ajo çfarë i ka ndodhur Tiranës këto 5 vite. Betonizimi, ndërtimi pa kriter, zaptimi i çdo hapësire publike, propaganda nga ana tjetër me një lopatë në dorë duke mbjellë pemë dhe nga ana tjetër duke dhënë me mijëra metra katrorë leje ndërtimi çdo ditë.  E paska një logjikë sepse kemi në krye të bashkisë një kryetar që erdhi me premtimin se nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi, ka qenë premtim publik i tij dhe sot që flasim, zotëria është pjesë e raportit të Global Initiative Network ku citohet fare mirë se në vitit 2017, 2018, 2019, vetëm në 3 vite janë pastruar 1.6 miliardë euro nga mafia e betonit. Kjo mafie e betonit e ka një emër, e ka një autor, është Ndragheta italiane”.

SHKARKO APP