Përgjimet e Antimafias, Qyno: Ja akuzat që do të hetohen nga SPAK

Pak minuta pasi SPAK njoftoi nisjen e një hetimi zyrtar në Shqipëri lidhur me përgjimet e Antimafias italiane, gazetari i Ora News Elton Qyno, në një intervistë për edicionin e lajmeve në Ora News dha detaje rreth këtij zhvillimi të fundit.

Sipas Qynos, SPAK ka nisur kryesisht hetimet për 4 akuza, jo vetëm për një.

Elton Qyno: Është një lajm që pritej, pavarësisht se nuk dihej se kur do të ndodhte, sa i përket dates kur do të nisnin hetimet. Pasi, vetë SPAK kishte krijuar ato urat apo trashenë për ta përgatitur çështjen dhe për të nisur një hetim. Faktikisht, hetimi ka nisur kryesisht duke marrë shkas nga publikimi në media, konkretisht nga media që ne përfaqësojmë Ora News e cila ka publikuar përgjimet e dosjes “Ndrangheta” ku ishin të implikuar apo përmendeshin zyrtarë të qeverisë shqiptare. Si edhe kryebashkiaku i Tiranës, z.Erion Veliaj duke pretenduar në këto biseda se ata ishin të përfshirë në afera korruptive në mënyrë se si jepeshin lejet e ndërtimit duke kërkuar edhe pjesën e 20%-it.

Pavarësisht se Prokuroria e Posaçme ka qenë në tratative për të nisur një hetim, faktikisht hetimi ka nisur zyrtarisht më 25 janar 2021, gati 10 ditë më parë. Dhe është nisur për disa akuza, jo vetëm për një.

Janë gati 4 akuza të cilat do të hetohen nga SPAK, në bashkëpunim edhe me Antimafian italiane dhe më konkretisht me Prokurorinë e Catanzaros.

Hetimet kanë nisur për akuzat: “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 259, 333/a, 287 – 28/4 dhe 334 i Kodit Penal.

SHKARKO APP