Përgjimet e antimafies italiane, Rakipllari: Tregonin një mekanizëm që e njohim si funksionon lidhja e mafies me politikën
Drejtori i Informacionit në News 24, Robert Rakipllari, duke folur për përgjimet e antimafies italiane, në emisionin “Real Story” deklaroi se ishin serioze dhe tregonin një mekanizëm që e njohim si funksionin lidhja e mafies me politikën.
“Dosja ka dy dimensione, pjesa e hetimit në Itali, dukej dosje shumë serioze, lidhja mes mafies dhe politikës. Kishte disa të arrestuar, deri euro-deputet dhe përfaqësues të Ndraghetës italiane. Lidhja ishte se paratë e drogës investoheshin në tendera, koncesione, lidhje me biznese të paqene për të pastruar paratë e drogës. Dosja ishte voluminoze e antimafies italiane, ku thuhej se janë pastruar 300 mijë euro, që vinin nga trafiku i kokainës dhe këta para janë investuar në biznese , koncesione, në Itali. Mes të arrestuarve ishin edhe shqiptarë.”, tha Rakipllari.
Robert Rakipllari u shpreh se gjithsesi në këto përgjime, nuk kishte biseda konkrete me ndonjë politikan shqiptar.
“Ajo që thashë ishte për Italinë, kurse për Shqipërinë, ata komunikonin dhe thoshin se në Shqipëri mund të pastrojmë para më shpejt, sepse kemi njerëzit tanë, ku thuhej edhe emri “Nik”, për pastrim parash në ndërtim etj. Ata thonë se e kanë shumë të lehtë të pastrojnë para. Ata thonë se kanë njerëzit e vet në Tiranë, me lidhjet politike që kishin, duke thënë se duhet 20 për qind. Tenderat 20 për qind, kështu funksionon. Përgjimet ishin serioze dhe tregonin një mekanizëm që e njohim si funksionon lidhja e mafies me politikën. Por, nuk kishte biseda konkrete. Nuk kishte biseda mes tyre dhe një politikani shqiptar”, u shpreh Rakipllari.