Përgjimet e Dibrës/ “Si i do votat me filmim apo me dëshmitar?”

Rtv Ora ka siguruar dosjen e plotë të prokurorisë për shitblerjen e votave në Dibër, e cila ka përfunduar në gjykatë vetëm me 4 të pandehur,  ndëkohë për shumë te tjerë akuza është pushuar pasi vepra penale është parashkruar. Sa i përket ish-ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri, Prokuroria sqaron se ka qenë aktiv në fushatë po nuk ka konsumuar ndonje vepër penale.

Dosja për shitblerjen e votave në Dibër ka përfunduar në gjykatë ndërsa seanca paraprake ku gjykata do të vendosë nëse do të pranojë apo jo kërkesën e prokurorisë do të mbahet me 15 janar.

Rtv Ora ka mundur të sigurojë dosjen e plotë të prokurorisë, mes të tjerave edhe përgjimet telefonike që vërtetojne akuzat ndaj katër të pandehurve që akuzohen për “shpërdorim  detyre”.

Sipas prokurorisë, sa i përket shtetasit nën hetim Dionis Imeraj dhe personave të tjerë të kallëzuar Spartak Koltraka, Agron Malaj, Jetmir Lleshi, Shaban Uklala, Abaz Kaca, Sonila Ndreu (Braha) dhe Damian Gjiknuri, rezulon se ato nuk kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Dhënia e premtimeve dhe e shpërblimeve”, parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal.

Sipas akuzës këto persona kanë patur një rol aktiv në fushatën e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Dibër, të zhvilluara në datën 11 shtator 2016, por gjatë hetimit nuk është provuar që këto persona të kenë dhënë apo ofruar premtime dhe shpërblime apo të kenë përdorur forma të tjera të korrupsionit zgjedhor, me qëllimin për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime.

Sa i përket personave te proceduar për shpërdorim detyre  përgjimet telefonike, janë kryer për një periudhë 15 ditore, nga data 9shtator 2016 deri me datë 24 shtator 2016, pas denoncimit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka.

Në përgjime mes të tjerëve janë vëne edhe numrat e Robert Agës, në atë kohë me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Dibër, Drini Gjeci, në atë kohë me detyrë Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër, Hasan Hoti, në atë kohë me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Lurë, dhe Nuri Meda, në atë kohë me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Tomin, bashkia Dibër.

Nga përgjimet rezulton se  shefi i komisariatit të policisë Dibër ka qenë  shume aktiv para dhe gjatë zgjedhjeve për të siguruar votat për kandidatin që kandidonte në siglën e Partisë Socialiste.

Në një përgjim të bërë në 9 shtator të vitit 2016, shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga, i thotë shtetasit Arben Keshi:  “Kam nis ca shërbime policie atje, të FNSH-së nja dy grupe që bëjnë patrullime, bëjnë gjërat, porositi që janë në ndihmë të tyre…”

Arbeni i përgjigjet: “Në rregull, dakort, rrofsh…”.

Robert Aga: Do ti mbaj të dy aty deri nesër mbrëma gjithë natën, që të paktën njerëzit tonë të ndjehen të sigurtë të shkojnë të votojnë. Bëjua të qartë.

Arben Keshi: Po, po.

Ndërkohë në një tjeter përgjim të bërë me datë 11 shtator 2016,  pra ditën kur po zhvilloheshin zgjedhjet, komunikimi ka qenë me sms, ndëmjet Shefit të Komisariatit të Policisë Dibër, shtetasit Robert Aga, përdorues dhe një personi me emrin Gent.

Sipas prokurorisë nga transkiptet rezulton se gjatë komunikimit me sms, Genti i thotë Robertit: “Të lutem më kthe përgjigjie, kanë filluar me i ndal furgonat në Tiranë, të lutem kije parasysh një furgon IVECO i Skënder Elezaj, është plot me njërëzit tanë, mos ta ndalin. Se të duhet targa ta dërgoj… .Respekte Genti”

Dhe Roberti i kthen sms, ku i thotë: “Ma dërgo…”

Personi me emrin Gent i kthen sms duke i nisur targën “AA 027 LI”.

Po në diten e zgjedhjeve në një komunikim me sms ndërmjet shefit të Komisariatit të Policisë Dibër, shtetasit Robert Aga, dhe një personi tjetër i quajtur  Lutfi Buci. 

Ky i fundit i dërgon sms Robertit ku i thotë: “Përshëndetje, që të jesh i sigurtë ti, a do ti boj votat me filmim a me dëshmitar. Lutfi Buci”.

SHKARKO APP