Përgjimet në Skrapar, polici shkatërronte parcelat para kontrollit
Për kultivimin e 28 parcelave me kanabis në Skrapar trafikantët kishin angazhuar një numër të madh të punonjësve nga lindja e mesme. Sipas raportit të hetimeve, në skemë ishin përfshirë dhe efektivë të cilët shkatërronin vetë sipërfaqet kur mësonin për nisjen e kontrolleve nga ajri.
28 parcela me kanabis janë zbuluar në zonën e Skraparit, ku policia ka bërë të mundur arrestimin e 23 personave ndër të cilët dhe efektivë të rendit apo zyrtarë të pushtetit vendor. Sipas materialit të paraqitur prej Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesat Tiranë për kultivimin e lëndës narkotike, organizatorët nuk kishin angazhuar punonjës nga Shqipëria.
“Nga ana e policisë gjyqësore është dokumentuar fakti se në parcelat me bimë narkotike punojnë një numër i madh personash dhe shtetas të huaj kryesisht nga Lindja e Mesme”, thuhet në dokumentin e paraqitur në gjykatë.
Po ashtu në material thuhet se Komisariatit të Policisë Skrapar janë të implikuar drejtpërdrejtë në raste kultivimi, raste për të cilat ata kryejnë veprime konkrete duke fshehur faktet kriminale.
Sipërfaqet e mbjella janë zbuluar si nga të dhënat në terren,por dhe nga monitorimi nga ajri prej Guardia di Finanza e Italisë ku janë përftuar koordinata për 28 parcela me bimë narkotike.
Një ditë më parë gjykata vendosi masën e arrestit deri në përfundimin e hetimeve për 16 persona, 4 në arrest shtëpie dhe 3 në detyrim paraqitje.
Mësohet se për të paktën 7 muajsh ata ishin vendosur në përgjim. Në një prej bisedave efektivi Bujar Çela sapo mësonte nga eprorët për monitorimet nga ajri së bashku me një kolegun e tij shkonte dhe shkulte rrënjët me kanabis. Këtë veprim, thuhet në material, ai nuk e raportonte te eprorët. /Ora News