Përgjimet nga Policia, Vata: Lë vend për abuzime
Sipas një projektligji të depozituar në Kuvend, policia kthehet në super polici. Projektligji i jep të drejtë policisë për të kryer përgjime, pa patur nevojën e një autorizimi nga ana e prokurorisë. Po ashtu policia mund të bëjë mbikqyrje të fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale. Ish-drejtuesi i lartë i policisë Emri Vata, thotë se kjo është një nismë antikushtetuese dhe ngre dyshime të shumta për qëllimin e saj.
Në nenin 131 të ligjit për policinë parashikohet ndryshimi që do ti japë të drejtë uniformave blu që të bëjnë përgjime pa patur nevojë për një urdhër prokurori. Drafti në fjalë i jep të drejtë të policisë që të kryejnë tri lloje përgjimesh, ambiental në ambiente publike apo në mjetet e transportit publik, përgjim me foto dhe video si edhe mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.
“Mendoj që është tërësisht antikushtetues, pasi autorizimin për përgjime duhet ta japë një organ kushtetues që është Prokuroria. Marrja e kësaj kompetence lë vend për abuzime. Për sa kohë veprime të tilla bëhen nga institucione që kanë varësi nga ekzekutivi, lë vend për të dyshuar për abuzime për kundërshtarin politik, për njerëz të caktuar apo selektime”,-tha për ”euronews”.
Ish-drejtuesi i Policisë Emri Vata shprehet skeptik edhe sa i takon operacionit forca e ligjit. ”Ndalesë e tepruar e SPAK-ut për të mos u marrë me objektivin kryesor të saj. Dyndja e dosjeve nga OFL-ja tek SPAK-u e ngarkon shumë me kapacitetet që ka duke u marrë me makinat e bllokuara dhe SPAK del jashtë funksionit që ka”.