Përgjimet, qeveria i jep dorë të lirë policisë për…

Me paketën anti-KÇK, edhe ligji për Policinë e Shtetit pëson ndryshime. Sipas amendamenteve të siguruara nga A2, tashmë policia mund të përgjojë pa nevojën e autorizimit nga prokurori. Në nenin 131 të ligjit ekzistues, saktësohen 2 parakushte.

Përgjimet autorizohen vetëm kur veprimtaria kriminale nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera; e dyta, përgjimet mund të nisin vetëm pasi është marrë dakordësia e prokurorit. Në variantin e ri të propozuar nga qeveria, neni 131 riformatohet dhe këto parakushte mungojnë. Përgjimet tashmë janë në dorë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe atyre rajonalë.

Por, veç kësaj, edhe afatet e përgjimit pësojnë ndryshim. Ato mund të zgjasin 3 muaj dhe mund të rinovohen vetëm 1 herë me 3 muaj të tjerë. Përveç përgjimit audio e video, ndryshimet e propozuara nga qeveria përfshijnë edhe gjurmimin e vendndodhjes. Ligji aktual për Policinë e Shtetit detyron asgjësimin e përgjimeve në rast se ato nuk përdoren si prova brenda 6 muajve.

Në riformulimin e nenit, kjo dispozitë është zhdukur, duke lejuar policinë të ruajë përgjimet sipas dëshirës. E tërë paketa ligjore anti-KÇK që qeveria do t’i kalojë Parlamentit, fuqizon edhe ministrin e Brendshëm, duke shtuar institucionet në varësinë e tij.

SHKARKO APP