Përgjimet: Vëllai i kryebashkiakut do trafikonte “ngarkesë të madhe”

Policia gjeti vetëm degë dhe mbetje kanabisi në magazinën në pronësi të Artur Zotkajt, çka forcon dyshimet e bisedave të përgjuara se grupi po përgatitej për trafikun e një sasie të konsiderueshme droge. Dyshohet se lënda narkotike do të trafikohej në Itali me ndihmën e një shtetasi të quajtur Fabricio.

Përballja me magazinën e drogës në pronësi të kryebashkiakut të Poliçanit ishte zhgënjyese për grupin hetimor, pasi përgjimet “premtonin” një sasi të madhe droge, të gatshme për t’u trafikuar në Itali.

Por nga kontrolli i imtësishëm, i ushtruar në lokalin e Artur Zotkajt, policia gjeti vetëm 19 kilogramë kanabis, që në fakt ishin mbetje të një sasie të përpunuar dhe paketuar.

Nuk dihet sa ishte sasia reale e lëndës narkotike dhe si u largua ajo nga magazina, gjatë kohës që të dyshuarit ishin në përgjim nga Prokuroria e Beratit.

Në dosjen e akuzës thuhet se sasia prej 19 kilogramësh kanabis përbëhej kryesisht nga degë të varura për t’u tharë, si dhe bishta të bimëve narkotike, çka krijon dyshime jo vetëm për sasinë reale të saj, por edhe vjeljen e freskët që u ishte bërë këtyre bimëve.

Grupi hetimor e konstatoi lëndën narkotike në një ambient biznesi në pronësi të shtetasit Artur Zotkaj, në lagjen “Xhenio“ Poliçan.

“Brenda këtij ambienti të mbyllur me qepena u gjetën 2 thasë të bardhë me lëndë narkotike, si dhe një pjesë të shpërndarë në mënyrë të çrregullt në godinë. Po kështu u gjetën degë të bimës narkotike, të cilat ishin varur në këtë ambient me qëllim tharjen e tyre, si dhe një peshore elektronike”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Por burimet konfirmojnë se në dosje nuk është pasqyruar i gjithë procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, pasi droga e gjetur në magazinën e vëllait të kryebashkiakut ishte kryesisht mbetje nga të vjelat e kanabisit.

Kjo edhe për faktin se përgjimet 1-javore të kryera me urdhër të Gjykatës së Beratit, tregonin se të arrestuarit po përgatisnin trafikimin e një sasie të konsiderueshme droge. Lënda narkotike dyshohej se mbahej e fshehur në tunelet pranë bizneseve të vëllait të kryebashkiakut dhe gjithçka ishte gati për trafikim në Itali.

Nga përgjimet ka rezultuar se personi që kishte marrë përsipër pritjen e drogës dhe shitjen më pas në vendin fqinj ishte një shtetas italian, i identifikuar me emrin Fabricio.

“Më datë 10.09.2015, nga prokuroria është regjistruar procedimi penal ndaj këtij shtetasi. Gjatë kësaj kohe ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hysenbelli ka komunikime të dyshuara për shitje lënde narkotike me një person, i identifikuar më pas si shtetasi Artur Zotkaj, banues në Poliçan, si dhe me një shtetas italian, i identifikuar si Fabricio”, thotë prokuroria.

Nga hetimet e deritanishme është mundur të provohej se furnizuesi i kanabisit ishte shtetasi Kreshnik Hysenbelli, i cili mbante kontakte me vëllain e kryebashkiakut, që kishte siguruar vendin për magazinimin dhe më pas lëvizjen e saj me qëllim trafikimin drejt Italisë.

Sipas prokurorisë, shtetasi Artur Zotkaj, përveç magazinimit është përfshirë edhe në transportimin e lëndës narkotike, pasi në automjetin e tij janë gjetur mbetje kanabisi nga transporti i kryer.

“Gjatë kontrollit të automjetit tip “Mercedes–Benz” me targa AA 959 IS, në pronësi të shtetasit Artur Zotkaj, janë gjetur një sasi mbetjesh të dyshuara si lëndë narkotike marijuanë me peshë 13.6 gramë, si dhe një shkop metalik”, thotë prokuroria.

Por pavarësisht të dhënave të mbledhura nga përgjimet dhe vëzhgimet në terren, policia mundi të sekuestrojë vetëm 19 kilogramë mbetjesh kanabisi, çka hedh dyshime të forta se sasia e përpunuar në këtë ambient ka qenë shumë më e madhe.

Ende nuk dihet se si është larguar lënda narkotike nga biznesi i Zotkajt, pasi ai ishte në përgjim dhe vëzhgim nga forcat e policisë, në një kohë kur të dyshuarit në bisedat telefonike të kryera mes tyre flisnin për një ngarkesë të madhe.

Mbi bazën e këtyre të dhënave prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për katër të arrestuarit, njëri prej të cilëve ka pranuar magazinimin e lëndës narkotike, e cila ishte sjellë nga shtetasi Kreshnik Hysenbelli pas komunikimeve me shtetasin Artur Zotkaj.

SHKARKO APP